Reperi nga Gjilani Feronit Shabani, i njohur si Fero, dje është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi në media dhe rrjete sociale ka qarkulluar një video ku Fero shihet duke e rrahur një qytetar në mes të rrugës, derisa viktima ishte në veturën e tij.
Prokuroria Themelore në Gjilan dje njoftoi për arrestimin e tij dhe tha se Fero është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa sot ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj reperit nga Gjilani.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka thënë se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjilan.
“Kërkesa për caktimin e paraburgimit është dorëzuar ne Gjykatën Themelore në Gjilan, e cila pritet të mbajë seancën dëgjimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Express.
Fero ngarkohet me veprën penale “Sulm” nga neni 184 i KPRK-së.
Në videon e publikuar shihet Fero duke grushtuar një person, ndërsa pas pak kohe disa kalimtarë intervenojnë që ta ndalin Feron.