Prokuroria Themelore në Ferizaj, i ka kërkuar Gjykatës, caktimin e masës së paraburgimit ndaj grupit të dyshuar për rastin e mbi 4 kilogramëve drogë, që u kapën më 13 dhjetor.
M.B, A.L, A.B dhe SH.B,M janë ndaluar për shkak të dyshimit të veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se me datë 12 Dhjetor 2025, rreth orës 17:15, me qëllim shitje ose ofrimi për shitje, në atë mënyrë që paraprakisht të pandehurit M.B dhe A.L, kanë sjellë substancën narkotike të llojit Kokainë me peshë prej 4,620 gram në Republikën e Kosovës, e më pas i pandehuri L.Z (i cili për momentin gjendet në arrati), kontakton me të pandehurit A.L dhe SH.B, duke i udhëzuar që këtë substancë narkotike të sjellin në parkingun e “B.M” në Veternik, e po ashtu duke i’u dhënë edhe detaje të veturës, ku ishte personi që do të blinte substancën narkotike”.
Ndërsa me rastin e kontrollit, tek shtëpia e A.B, janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova të tjera, të cilat janë shfrytëzuar për mbështjellje të substancës narkotike, si dhe një revole të markës “Glock”.
