Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin L.P., zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës, pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Kontrabandimi me mallra“.
Sipas njoftimit, thuhet se me datë 1 shkurt 2024 në rrugën magjistrale Leposaviq – Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Bistricë, “i pandehuri L.P., është ndaluar nga policia në pikë kontroll, i njëjti ka qenë duke e drejtuar veturën zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës”.
“Gjatë kontrollit në bagazh janë gjetur dy çanta me lloje të ndryshme të barnave me banderola të Serbisë, pa poseduar asnjë dokument përcjellës”, ka njoftuar Prokuroria.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e zyrtarit të ATK-së, me inicialet L. P.
Në njoftimin e kësaj drejtorie thuhet se patrulla policore në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, tek ura e Bistricës në një pikë kontrolli ka ndaluar veturën me targa zyrtare, pronë e Administratës Tatimore të Kosovës të cilën e drejtonte personi L. P., zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK-së) dhe së bashku me të ishte edhe një pasagjer, T. J. po ashtu zyrtar i ATK-së.
“Gjatë kontrollit të veturës në fjalë në bagazhin e veturës janë gjetur një sasi e barnave të ndryshme me banderola të Serbisë, për të cilat nuk posedonin dokumentacione. Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me prokurorin kompetent të PPTH-Mitrovicë, ku i dyshuarit L. P. pas intervistës në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Ndërsa pasagjeri T. J. pas intervistës me urdhër të prokurorit është liruar”, thuhet në njoftimin e DHKEK.
Administrata Tatimore e Kosovës gjatë ditës së djeshme njoftoi se Policia e Kosovës i ka arrestuar dy zyrtarë të saj nga komunitetit serb. Ata dyshohen për kontrabandim të barnave.
Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.