Kërkohet që aktet gjenocidale serbe në Kosovë të mos kualifikohen thjesht si “krime lufte”

Kërkohet që aktet gjenocidale serbe në Kosovë të mos kualifikohen thjesht si “krime lufte”

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, po apelon që aktet gjenocidale që kanë kryer forcat serbe në Kosovë, të mos kualifikohen thjesht si krime lufte.

Gjatë apelimit, u përmendën dy dënime të shqiptuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku thuhet se me to Gjykatat Themelore të Kosovës shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit që ka kryer gjatë luftës 1998-1999.

“Më 12 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 15 vjet burg Muharrem Alidemajn për pjesëmarrje në krime lufte gjatë vitit 1999 për vrasjen e mbi njëqind shqiptarëve, në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt”.

“Më 17 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 12 vjet burg Ekrem Bajroviqin, për pjesëmarrje në krime lufte të vrasjes së 16 shqiptarëve dhe keqtrajtimit të 84 shqiptarëve të tjerë, në komunën e Istogut”.

Qendra tha se kualifikimi i tillë ligjor i veprës është në kundërshtim të plotë me natyrën e fakteve materiale dhe paraqet shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

“Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur’ ka alarmuar për këtë rrezik që këto vendime të përdoren nga mohuesit e gjenocidit në Kosovë si argument i jurisprudencës së gjykatave vendore, se gjoja në Kosovë nuk ka ndodhur gjenocid, por vetëm krime të shkallës më të ulët: krime lufte, dhe në këtë mënyrë t’i mbyllet rruga mundësisë për të paditur Serbinë për krimin e gjenocidit që ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj e shohim të domosdoshme që bashkërisht të kundërshtojmë shfajësimin e Serbisë për krimin e gjenocidit”.

Related Articles