Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), përmes një komunikate për media thotë se sezona po përfundon dhe Brezovica akoma nuk është funksionale.
OHT thotë se Brezovica ka qendrën me të madhe për skijim, por që qytetarët nuk mund ta shfrytëzojnë teleferikun.
“Brezovica si çdoherë në stinën e dimrit vizitohet nga shumë turistë në këtë kohë, pasi që bora ju mundëson atyre që të skijojnë. Aktualisht Brezovica është qendra më e madhe në Kosovë për skijim dhe brenda stinës së dimrit ka shumë turistë. Por, për fat të keq adhuruesit e resortëve dimërore e të skijimit, nuk po munden ta shfrytëzojnë teleferikun në Brezovicë”, thuhet në reagim.
OHT thekson tutje në komunikatë se teleferiku është dashur të lëshohet nga data 25 dhjetor.
“Kjo për arsye që teleferiku akoma nuk është lëshuar, edhe pse është dashur të lëshohet që nga data 25 dhjetor 2021, ndërkohë që teleferiku në Brezovicë është një ndër atraksionet më të vizituara, sidomos tani me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, dhe kjo që po ndodh është një humbje e madhe nëse nuk parandalohet menjëherë. Për këtë arsye shumë subjekte hoteliere/turistike janë ankuar sepse si pasojë e kësaj po anulohen shumë rezervime nëpër resortet e Brezovicës”.
OHT shton tutje se, një tjetër ankesë apo pakënaqësi e cila është prezente tash e disa ditë është se në pikën kufitare ‘’Jazhicë Glloboqicë’’ nuk po lejohen të hyjnë vizitorët nëse nuk e kanë dëshminë e dy vaksinave, pra nuk po vlen as testi negativ PCR apo dëshmia se personi ka kaluar COVID-19.
“Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës kërkon që sa më parë të ketë ndërhyrje në këto dy problematika që po shkaktojnë shumë humbje të bizneseve, sepse përveç se masat AntiCovid e kanë rënduar gjendjen e bizneseve tej mase, kjo që po ndodh këto ditë sezone që duhen shfrytëzuar nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë”.