Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione i ka propozuar Kuvendit që të mos miratojë Propozim-vendimin e Avokatit të Popullit lidhur me zgjedhjen e 5 zëvendësve të Avokatit të Popullit, raporton Ekonomia Online. Kryetarja e Komisionit, Duda Balje ka kërkuar që sot të merret vendim nga anëtarët e tjerë, pasi që siç tha ajo është momenti i fundit.
Balje tha se edhe komisioni ka dëmtuar palët pjesëmarrëse, derisa tha se po i hynë shumë detajeve edhe pse nuk janë kompetent
“Sot duhet me votua ose mos me votua sepse jemi në kohën e fundit. Ne kemi dëshirë m’i respektua të drejtat e njeriut dhe prej momentit kur e keni kuptuar ne kemi kaluar kompetencat që kemi pasur. Ne kemi shqyrtuar ankesa. Shumë here kemi trajtuar peticione, komisioni nuk ka qenë pro me i thirr në diskutim palët e tjera”, u shpreh Balje.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka kërkuar që të rishikohen raportet e të gjitha institucioneve që kanë qenë pjesë e procesit, ndërsa tha se Zyra Ligjore ka thënë se komisioni nuk ka të drejtë të merr vendime mbi palët që janë ankuar.
“Në mbledhjen e parë dhe të dytë kam kërkuar që përveç Avokatit të Popullit të kemi takim edhe me palët që janë aty sepse e kanë të drejtën për me dëgjua. Të gjitha institucionet që kanë qenë pjesë e procesit me i bashkëngjit raportet e tyre, insistoj që me intepretim të Zyrës Ligjore nuk kemi të drejtë të marrim vendime mbi palët që janë ankuar, por nëse këta njerëz janë zgjedh në Kuvend ne duhet me pas të drejtën me i dëgjua”.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka përmendur rekomandimin e Zyrës Ligjore që nuk kanë të drejtë të merren me ankesat e anëtarëve, derisa ka pyetur deputetën e VV-së, Saranda Bogujevcin se a kanë pranuar ndonjë ankesë në Kryesi.
“Zyra Ligjore ka dhënë opinion që ne mos të kemi të drejtë që të merremi me ankesat e anëtarëve dhe duhet që raporti të vihet në votim dhe të merret vendim”.
Deputetja Bogujevci tha se është shqetësuese për të që institucioni i Avokatit të Popullit vetë është pranuar në komision dhe e ka konfirmuar që ka qenë në dijeni se komisioni nuk është kompetent për verifikimin e ankesave.
“Problemi ka qenë se kanë pasur diskrepancë në informacione dhe gjatë rrugës kemi marr informata shtesë, ki të drejtë për pjesën e kandidatëve që presin në këtë proces. Zyra Ligjore thotë se ne nuk kemi qenë kompetent por të njëjtën kohë është në pjesën e dytë ku thotë prapë se Komisioni Parlamemntar analizon dhe shqyrton pretendimet e palëve të treta”.
Ndërsa nga Zyra Ligjore kanë thënë se komisioni nuk mund të shërbejë si shkallë e dytë lidhur me shqyrtimin e ankesave të palëve, mirëpo ka të drejtë të shqyrtojë pretendimet për parregullsitë.
“Procesi është i ndarë në dy pjesë. Pyetja ka qenë nëse i lejohet kuvendit që t’i shqyrtojë pretendimet e zv.avokatëve. Komisioni nuk mund të shërbejë si shkallë e dytë lidhur me shqyrtimin e ankesave”.