Brazili është favoriti i basteve për të fituar Kupën e Botës në futboll. Por mungesa e miqësoreve ndaj kundërshtarëve evropianë, gjatë katër vjetëve të fundit, shqetëson përzgjedhësin Tite, i cili ka frikë se kjo mund t’i kushtojë në Katar në ngjarjen kulmore që mbahet në nëntor e dhjetor të këtij viti.
Brazili në shortin e tërhequr të premten, u vendos në Grupin G që e përbëjnë edhe Zvicra, Serbia e Kameruni. Brazili padyshim është përfaqësuesja më e mirë në Amerikën e Jugut së bashku me Argjentinën, pasi kanë regjistruar rekord prej 45 pikësh në kualifikime dhe kanë mbetur të pamposhtura në të gjitha 17 ndeshjet.
Por, mungesa e ndeshjeve ndaj përfaqësueseve të tilla si Franca, Spanja, Anglia dhe Gjermania e shqetëson përzgjedhësin Tite. Ai pranoi se është në dyshim se sa të mirë janë me të vërtetë pesë herë kampionët e botës.
“Ne nuk i kemi këto ndeshje, kështu që kam dyshime”, tha Tite.
Në katër vjetët e fundit ndërmjet dy Kupave të Botës së kaluara (2014 – 2018), Brazili u përball me tetë skuadra evropiane, përfshirë Gjermaninë, mikpritësen Rusinë dhe fituesen e mëpasshme Francën. Megjithatë, në katër vjetët që pasuan prej se Belgjika i eliminoi në fazën çerekfinale në Rusi, brazilianët janë takuar vetëm një herë me një përfaqësuese nga Evropa, duke mposhtur Çekinë me shifrat 3:1 në një miqësore të marsit të vitit 2019.
Kjo ndodhi pjesërisht për shkak të pandemisë COVID-19, e cila ka çrregulluar kalendarin e futbollit që nga viti 2020. Por, mungesa e ndeshjeve me ekipet evropiane erdhi edhe për shkak të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Nisja e Ligës së Kombeve në vitin 2018 ishte projektuar, sipas UEFA-s, për të “reduktuar numrin e miqësoreve të pakuptimta”.
Brazili, megjithatë, i sheh miqësoret e tilla jo si të pakuptimta, por si një shans për të provuar veten kundër më të mirëve në botë dhe Tite i ka kërkuar vazhdimisht Federatës së Futbollit të Brazilit të organizojë ndeshje kundër përfaqësueseve evropiane.
“Çdo miqësore kundër çdo skuadre evropiane është e mirëseardhur, sepse është e rëndësishme. Unë e dua, por edhe lojtarët”, shtoi Tite.
Ndërkohë, përfaqësueset evropiane duken më pak të shqetësuara për mungesën e miqësoreve me përfaqësuese nga kontinente të tjera, nëse komentet e përzgjedhësit të Spanjës, Luis Enrique, merren parasysh. Kur u pyet për mungesën e ndeshjeve miqësore të tilla, Enrique ngriti supet.
“Nuk mendoj se na mungon të luajmë kundër skuadrave nga kontinente të tjera. Ekipet evropiane janë të nivelit të lartë. Të kujtojmë që katër gjysmëfinalistët në Botërorin e fundit ishin nga Evropa”, theksoi Enrique.
“Ditën që duhet të luajmë kundër Brazilit, do të bëjmë më të mirën. Do të jetë e vështirë, sigurisht, por nuk mendoj se është problem”.