Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka vendosur që Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” t’i mbetet emri aktual, duke hedhur poshtë kështu propozimin e Rektorit të UP’së, Qerim Qerimi, i cili kishte kërkuar që “Hasan Prishtina” t’i hiqet nga emërtimi.
Në një përgjigje që Rektorati i Prishtinës i ka kthyer organizatës studentore “Unioni Demokratik Studentor”, thuhet se Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka aprovuar dokumentin i cili ruan emrin aktual të institucionit.
“Ju njoftojmë që Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka aprovuar dokumentin i cili ruan emrin aktual të institucionit. Siç e dini, dokumenti ka qenë në konsultim të brendshëm, megjithatë në versionin e fundit, ai ruan emrin “Hasan Prishtina”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.
Ndërrimi i emrit të UP-së ka qenë propozim që e ka dhënë rektori i këtij universiteti, Qerim Qerimi.
Sipas tij, arsyeja e ndërrimit është për shkak të ngatërrimit të emrit në arenën ndërkombëtare.
“Po e shqyrtojmë rikthimin e emrit origjinal që ka pasur përpara ndryshimit të fundit të statutit, pra Universiteti i Prishtinës. Është edhe një universitet në Mitrovicë, në gjuhën serbe, që po ashtu e pretendon emrin Universiteti i Prishtinës dhe kjo ka krijuar konfuzion”, kishte thënë rektori për media.
Kundër këtij propozimi kishte dalë “Unioni Demokratik Studentor”, ku kishte organizuar edhe një peticion.
Në një bisedë me Gazetën Express, Gecaj kishte thënë se mbledhur 4 mijë nënshkrime nga studentët në katër fakultete të UP-së.
Gecaj kishte thënë se nuk e përjashtojnë as mundësinë e protestave dhe bojkotit “nëse tentohet të jetësohet” propozimi i rektorit Qerimi.
“Ne patjetër që jemi kundër largimit të emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës. Fillimisht është fyerje që emri i një figure të tillë që ka kontribuar shumë edhe për arsimin shqip, të shihet si pengesë për universitetin. Gjithashtu arsyetimet se kinse po kemi probleme në arenën ndërkombëtare për shkak të emrit janë të pavërteta dhe qëllimkeqe. Ne kemi dërguar shkresë zyrtare në adresë të rektorit të UP-së për ta kundërshtuar këtë veprim, gjithashtu javën që lamë pas kemi realizuar një aksion simbolik para rektoratit. Këtë javë kemi filluar me peticion në disa fakultetet e UP-së. Gjithashtu javën tjetër vazhdojmë edhe në disa fakultete tjera. Deri tani në vetëm 4 fakultete kanë nënshkruar afër 4 mijë studentë, si kundërshtim i largimit të emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës. Ne do ta dorëzojmë në fund në rektoratin e UP-së, por nuk përjashtojmë mundësinë e protestave dhe bojkotit në rast se tentohet të jetësohet ky propozim”, kishte thënë Gecaj për Express.
Për këtë propozim pati shumë reagime, madje për ta kundërshtuar, në fillim të muajit maj është zhvilluar një aksion simbolik para rektoratit. Ky aksion u organizua nga fondacioni “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me disa shoqata tjera.
Në këtë aksion kishte marrë pjesë edhe profesori Bujar Dugolli. Ai tha se figura e Hasan Prishtinës është një figurë e ndritur që nuk ka mundur ta kontestojë askush.
“Nuk mund të largohen emrat e patriotëve e intelektualëve, që tërë jetën e kanë shkrirë për atdheun”, tha ai.
Për nismën e rektorit Qerimi, kishte reaguar edhe politologu Bardhyl Mahmuti. Ai ka thënë se përpjekja për ndërrimin e emrit është absurdi më i madh.
“Përpjekjet që nëpërmjet ndryshimeve të statutit të Universitetit të Prishtinës t’i hiqet “Hasan Prishtina” nga emërtimi i tij me arsyetim se gjoja krijon pasaktësi për shkak se një universitet i krijuar nga strukturat kriminale të instaluara në qytetin e Mitrovicës nga Sllobodan Millosheviqi mban emrin “Universiteti i Prishtinës” është absurdi më i madh që ka prodhuar ndonjëherë udhëheqja e institucionit më të lartë arsimorë në Kosovë”, ka shkruar Mahmuti.
Mahmuti ka thënë se duhet të delegjitimohet universiteti ilegal në Veri.
“Në vend të mobilizimit të gjithanshëm të institucioneve shtetërore dhe universitare për delegjitimimin e plotë të universitetit ilegal në veri të vendit, del propozimi që nga emërtimi i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina të hiqet emri i njërës nga figurat më të shquara të historisë kombëtare shqiptare, që është sinonim i shtetësisë sonë”, ka shkruar ai.