Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur që t’ia zgjasë misionin EULEX-it në Kosovë deri më 14 qershor 2023.
Në vendimin e datës 3 qershor 2021 që është publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian shuma e ndarë për shpenzimet e këtij misioni nga 15 qershori 2021 deri më 14 qershor 2023 do të jetë 173 milionë e 693 mijë e 683 euro.
Ndërkaq jashtë kësaj shume, shuma që parashihet për misionin e EULEX-it për zbatimin e mandatit të tij në Kosovë do të jetë 57 milionë euro dhe shuma e parashikuar për të mbuluar mbështetjen për procedurat gjyqësore të zhvendosura brenda një shteti anëtar do të jetë 115 milionë e 793 mijë e 683 euro.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.
Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.
Në kuadër të mandatit të tij, Misioni zhvillon aktivitete të monitorimit dhe ka funksione ekzekutive të kufizuara.