Këshilli i Prindërve të Kosovës ka bërë të ditur se kanë kërkuar që pushimi për nxënësit i caktuar të mbahet nga 27 janari e deri më 2 shkurt të vitit 2023, të mbahet më 4,5 dhe 6 janar, por kjo kërkesë iu është refuzuar nga Ministria e Arsimit.
Kështu ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi.
Sipas tij, arsyetimi i ministres Arbërie Nagavci ua ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative.
“E kemi menduar të përshtatshme, e për këtë kemi pasur shumë kërkesa nga prindërit (sidomos nga Prishtina) që të ndryshohet pushimi i fundit të janarit 2023. Propozimi i Këshillit të Prindërve ishte që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023. Kjo meqë (tradicionalisht) për vitin e ri ka më shumë frymë festive e pushimesh dhe kemi shumë mërgimtarë që vizitojnë Kosovën”.
“Me këtë kërkesë, e me këto arsye, i jam drejtuar Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Por, ministrja Nagavci e ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative. Gjykoj se kërkesa e Këshillit të Prindërve ka qenë e arsyeshme e mundshme për t’u realizuar por nuk ka pasur vullnet nga Ministrja për ta bërë këtë”, ka thënë Demi.
Demi tha se pas refuzimit të kërkesës së tyre, i fton prindërit që të respektojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit.
“Por përkundër që gjykojmë se pushimi i menduar në fund të janarit e jo në fillim të tij, nuk është zgjidhja e dëshiruar dhe më e mira për prindërit e nxënësit, ju ftoj, prindër të nderuar, që ta respektoni këtë vendim dhe më 4 janar të vazhdojë mësimi”, tha ndër të tjera Demi.