Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kërkuar nga qeveria që të distanciohet nga deklaratat e zëvendësminitrit të Drejtësisë, Blerim Sallahut, i cili tha se vetë prokurorë janë të përfshirë në veprime kriminale, raporton Gazeta ‘Enigma’.
“Përkundër bashkëpunimit të deritashëm reciprok në procese të ndryshme me Ministrinë e Drejtësisë, siç janë: rishikimi funksional, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë dhe shprehjes së vullnetit të mirë të sistemit prokurorial për ta forcuar bashkëpunimin në avancim të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, deklaratat e fundit, të bëra nga Zëvendësministri i Drejtësisë, i cili i ka quajtur prokurorët të involvuar në veprimtari kriminale, e bëjnë të pamundur bashkëpunimin ndërinstitucional”, thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial.
“Andaj, në takimin e sotëm të Grupit punues për ndryshime ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësuesit e sistemit prokurorial kanë kërkuar nga pushteti ekzekutiv, respektivisht nga Ministria e Drejtësisë që të distancohet nga deklaratat e zëvendësministrit, distancim ky, që do t’i hapte rrugë bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë institucional”.
Këshilli Prokurorial e ka bërë të ditur qëndrimin e vet para grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë, duke i quajtur deklaratat e Sallahut si gjuhë të papranueshme, të paprecedentë dhe linçuese.
Më poshtë gjeni qëndrimin e sistemit prokurorial, të paraqitur sot para Grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë:
“Ndaj një gjuhë të tillë, ne kemi reaguar, ku kemi kërkuar distancim të pushtetit ekzekutiv nga deklaratat e tilla. Ky distancim akoma nuk ka ndodhur dhe kjo nuk krijon hapësirë për bashkëpunim ndërinstitucional dhe e minon skajshmërisht respektin e ndërsjellë”.
“Është e pakuptimtë që ne të flasim në suaza të respektit, kolegjialitetit dhe mirëbesimit me dikë që i quan prokurorët të involvuar ne veprimtari kriminale”.
Mosdistancimi nga kjo gjuhë nënkupton paragjykime të atilla që janë krijuar pa bazë dhe janë tendencioze dhe kjo ngrit dilema serioze në qëllimin e vërtetë të sponzorisuesit për të rrënuar pavarësinë institucionale në emër të ndryshimeve dhe reformave ligjore në vazhdën e kësaj është dhe drafti i fundit për ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.
KP-ja ka bërë të ditur se ata nuk do të mund të vazhdojnë të jenë pjesë e këtij grupi nëse nuk ndodh një distancim publik i qeverisë apo i vetë Sallahut nga deklaratat e tij.
“Andaj, presim një qëndrim dhe reflektim të qartë dhe të bërë publik lidhur me çështjet e ngritura, në mënyrë që të mund të marrin pjesë në këto takime”./Gazeta Enigma/