Klisman Kadiu, këshilltar i Zv. Kryeministrit, Besnik Bislimi ka reaguar pas lajmit se ky i fundit është takuar me Gjuriqin në Zvicër, raporton Gazeta “Enigma”.
Kadiu përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka thënë se “teksti në foto është manipulues, i pasaktë dhe i pavërtetë. Gazeta NZZ nuk ka raportuar se zëvendëskryeministri është takuar në dhjetor apo ndonjëherë tjetër me Gjuriqin”.
Tutje ai ka theksuar se Bislimi nuk ka pasur kurrfarë takimi me Gjuriqi askund. Sipas tij dikush e ka shtrembëruar artikullin e NZZ po e bën qëllimshëm që të ndajnë dezinformata.
“Edhe njëherë, Zëvendëskryeministri nuk ka patur as takim të fshehtë, as kurrfarë takimi me Marko Gjuriq. As në Zvicër, as kudo tjetër. Kushdo që e shtrembëron artikullin e NZZ, po e bën qëllimshëm dhe shpërndan dezinformata”, deklaroi Kadiu.
“Gazeta NZZ shkruan se zëvendëskryeministri Bislimi dhe Gjuriq kanë qenë ndër personazhet që kanë marrë pjesë në takime të organizuara nga MPJ e Zvicrës dhe organizata amerikane CIG, por JO se kanë qenë prezent në të njëjtin takim ose që janë takuar bashkë. Kujtojmë se këto takime të procesit të dialogut për të lehtësuar procesin, organizohen që mbi 10 vite tashmë, e siç sqaroi sot dhe MPJ e Zvicrës, ato nuk janë sekrete, siç u portretizuan në portale gjatë ditës”, ka shkruai ai.
