Drejtoresha e shkollës së Mesme Teknike në Gjakovë, Florentina Gjergjaj i është përgjigjur deputetes Duda Balje pasi kjo e fundit mbrëmë lëshoi një reagim për simbolin që ishte vendosur në këtë shkollë, e i cili ndalonte vendosjen e shamisë.
Gjergjaj me anë të një postimi në Facebook ka thënë se ajo po e respekton një udhëzim administrativ të lëshuar nga vet ministria e Arsimit.
“Për të dhënë përgjigje për akuzat tua paragjykuese, tendencioze dhe linçuese ndaj meje, ju ftoj ta lexoni Udhëzimin administrativ të MASHT-it 06/2014. Pastaj, besoj edhe ju vet do ta kuptoni ngutinë dhe naivitetin e reagimit tuaj linçues ndaj meje”, ka shkruar Gjergjaj.
Gjergjaj tutje ka thënë se Balje po e konsideron veten mbi ligjin për akuzat që po bën, mirëpo njëjtë nuk e konsideron ajo veten.
“Andaj, iu ftoj që të mos humbeni kohë duke nxitur urrejtje e përçarje ndaj meje, por kryeni punën tuaj si Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nëse e konsideroni problematike këtë çështje ndërrojeni udhëzimin administrativ. Të cilin unë natyrisht se do ta respektoj dhe përmbush në përpikëri, sikur çdo ligj dhe udhëzim administrativ tjetër që e respektoj maksimalisht gjatë punës sime”, ka shkruar tutje ajo.
Gjergjaj ka thënë se Balje ka nxitur fushatë kërcënimesh ndaj saj, dhe për këtë, ajo do t’u drejtohet organeve të sigurisë gjatë ditës së nesërme.