Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet e shumta, ku shpeshherë përdoren edhe mjete të forta, të mprehta e armë zjarri. Si pasojë e kësaj, në shumë raste viktimat kanë marrë edhe plagë fatale për jetën e tyre. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në Fushë Kosovë, janë arrestuar katër persona.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë
- Safet Zeqiri
- Arbër Zeqiri
- Granit Zeqiri
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në rrugën ‘Naim Syla’, ku pas një konflikti verbal Arbër Zeqiri dyshohet se ka sulmuar fizikisht 33-vjeçarin, B.Sekiraqa, i cili ishte i shoqëruar nga vëllai i tij, Esat Sekiraqa. Si pasojë e sulmit, viktima ka marrë lëndime të rënda trupore dhe është transferuar me urgjencë për në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovë.
Burimet brenda Emergjencës bëjnë me dije se i riu është dërguar atje në gjendje të rëndë si pasojë e goditjeve që ka marrë nga mjete që dyshohet te jenë të forta dhe të mprehta. Si pasojë e therjes që ka pësuar, ai është hospitalizuar në mjekim intensiv.
Lëndime mori edhe vëllai i 33-vjeçarit, i cili po ashtu ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Esat Sekiraqa, pas tretmanit mjekësor është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, pasi i njëjti është përfshirë në përleshje me anëtarët e familjes Zeqiri.
Në pranga kanë përfunduar edhe Safeti dhe djali i tij Graniti, ndërsa Arbër Zeqiri është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nuk dihet ende vendndodhja e tij.
Me urdhër të prokurorit, rasti ndaj të dyshuarve Zeqiri është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa Sekiraqa do të hetohet për veprën penale ‘Pjesëmarrje në rrahje’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.