Mbrëmë u raportua për një grabitje të armatosur në pompën e derivateve ‘IP Petrol’ në Kaçanik, ku një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka marrë një shumë të parave nga arka dhe më pas ishte arratisur. Megjithatë, i dyshuari rezulton se nuk ka qenë i vetëm në kryerjen e veprës. Policia pas veprimeve hetimore ka arritur që t’i identifikon dy të dyshuarit të cilët janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Kastriot Çaka dhe Astrit Çaka.
Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i kompanisë, i cili ka deklaruar se të dyshuari tmenjëherë pas kryerjes së veprës është larguar me shpejtësi në një drejtim të panjohur.
Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, ku ka gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, municion, radiolidhje, narkotikë e maska me të cilat dyshohet se është kryer grabitja.
“3 armë të zjarrit , 2 pushkë automatike dhe një pistoletë, sasi e municionit , karikatorë, një radiolidhje, sasi e narkotikëve, një shufër metallike, dorëza , maskë ,telefona”, ka njoftuar Policia.
Dy të dyshuarit me vendim të prokurorit të rastit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti është cilësuar ‘’Grabitje dhe armëmbajtje pa leje’’.