Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në rrugën ‘Ismail Raka’ në Kaçanik, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur një person. Tre të dyshuarit janë identifikuar, mirëpo të njëjtit s’janë arrestuar ende.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tre të dyshuarit lidhur me rastin janë
- Zahir Qaka
- Milaim Krraba
- Shpëtim Krraba
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimeve kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja që dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast, e po ashtu janë vërejtur edhe njolla në gjak.
Më së keqi nga e gjithë kjo ngjarje që rrezikoi të përfundonte me fatalitet e pësoi një person i cili u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima ka pasur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit në këmbë, teksa personi i dytë që u dërgua atje kishte lëndime në gjithë trupin.
Pas dhënies së ndihmës së parë, dy të dyshuarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt për trajtim të mëtutjeshëm.
Zëdhënsi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha për Sinjalin se të dyshuarit janë ende në kërkim.