Një vdekje e dyshimtë ka ndodhur në mesditën e sotme në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Sipas shefit të urgjencës, Avdyl Pacolli viktima është gjetur në hollin e një ndërtese.
Lidhur me rastin, zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë se mosha e viktimës është rreth 40-vjeç.
“Ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Është gjetur një trup pa shenja jete, grua, rreth 40 vjeç. Rasti është cilësuar ‘hetim mbi vdekjen’” – ka thënë Ulaj për KALLXO.com.
Ajo ka treguar se Prokuroria në koordinim me të gjitha institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
Po ashtu Ulaj tregoi se me urdhër të prokurores trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.