Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka numëruar votat në komunat ku u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.
Në komunat me shumicë shqiptare, koalicioni VLEN ka fituar në pesë komuna, AKI në një, ndërsa VMRO-DPMNE ka fituar në dy komuna.
VLEN ka arritur fitore në komunat: Bogovinë, Dibër, Dollnen, Strugë, Tetovë, ndërsa AKI ka arritur fitore vetëm në Komunën e Studeniçanit.
Në Komunën e Kërçovës dhe atë të Bërvenicës, kryetarët e rinj do të jenë nga radhët e partisë maqedonase, VMRO-DPMNE.
Në Kërçovë, VLEN ishte bërë bashkë me VMRO-DPMNE duke ia pamundësuar fitoren kandidatit Fatmir Dehari.
“Ra Fatmir Dehari. Ra nga populli që u bashkua kundër shthurjes, punës joadekuate dhe u dëshmua se askush nuk është më i fuqishëm sesa populli. Ju treguam se çfarë mundemi kur jemi të bashkuar. Atje kemi bashkëpunuar de të ndryshme, etni të ndryshme, kundër atyre që e tërhiqni qytetin poshtë. Kjo e hap derën se mund të bashkohemi. Maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serbë, vlleh, boshnjakë, të krishterë, myslimanë. VMRO-DPMNE, LSDM dhe të gjithë të tjerët rreth vlerave dhe politikave për të cilat kanë nevojë qytetarët. Për këtë duhet të punojmë. Fitoi bashkëjetesa dhe besimi në vlera. Ky është shembull i rëndësishëm sesa mund të arrijmë kur jemi të bashkuar. Fitoi ideja se Maqedonia është shtëpi për të gjithë, maqedonas, shqiptarë , turq, romë, serbë, boshnjakë dhe të tjerët. Të nderuar kërçovarë, unë jam me ju dhe Kërçova në periudhën në vijim duhet të jetë në fokus të qeverisë”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Rezultatet në komunat me shumicë shqiptare janë si më poshtë:
Komuna e Bogovinës: Besnik Emshi nga AKI ka marrë 5.040 vota, ndërsa Feti Abazi nga VLEN 6.380.
Komuna e Bërvenicës: Haqim Ramadani nga VLEN ka marrë 4.224 vota, ndërsa e ka humbur garën nga Jovica Ilievski i OBRM-PDUKM 4.369.
Komuna e Dibrës: Fisnik Mela nga VLEN ka marrë 4.369 vota, ndërsa Ramadan Imeri si i pavarur ka marrë 3.674 vota.
Komuna e Dollnenit: Blerim Islami nga VLEN ka marrë 3.979 vota, kurse Sashko Veljanoski 2.799 vota.
Komuna e Kërçovës: Aleksandar Jovanovski nga OBRM-PDUKM ka marrë 13.697, ndërsa Fatmir Dehari nga AKI 11.326.
Komuna e Strugës: Arsim Dalipi nga AKI ka marrë 11.411 vota, kurse Mendi Qyra si i pavarur por i përkrahur nga VLEN, ka marrë 12.040 vota.
Komuna e Studeniçanit: Ejup Abazi nga AKI ka marrë 4.348, ndërsa Azem Sadiku ka marrë 4.141.
Komuna e Tetovës: Bilall Kasami nga VLEN ka marrë 21.004, ndërsa Bajram Rexhepi nga AKI ka marrë 15.958.
