Këto janë vendimet që u morën sot nga KQZ-ja

Këto janë vendimet që u morën sot nga KQZ-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 46-të për këtë vit.

Në fokus të mbledhjes ishte ecuria e përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Sipas raportit informues të prezantuar në fillim të mbledhjes, KQZ bën të ditur se prej 28 qershorit e deri më 4 gusht 2025, janë pranuar gjithsej 1,500 kërkesa për ndërrim të Qendrës së Votimit brenda komunës.

Nga to, 1,409 janë aprovuar, ndërsa 91 janë refuzuar, për shkak të mungesës së fotografisë së aplikuesve me dokument identifikues, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, anëtarët e KQZ-së janë informuar edhe për procesin e regjistrimit të votuesve jashtë vendit, të cilët synojnë të votojnë me postë në zgjedhjet e tetorit.

Deri më 4 gusht, në ora 08:00 të mëngjesit, përmes platformës zyrtare të KQZ-së janë pranuar 1,971 aplikime, prej të cilave 1,402 janë aprovuar, kurse 569 janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacionit që dëshmon adresën e banimit ose mospërputhjes së saj me dokumentin e dorëzuar.

Në raport u theksua edhe se deri më tani aplikimin për certifikim e kanë filluar 54 subjekte, përfshirë 19 parti politike, 19 iniciativa qytetare dhe 16 kandidatë të pavarur, në kuadër të periudhës së hapur për aplikim e cila zgjat deri më 13 gusht.

KQZ miratoi gjithashtu dokumentin për analizën e fletëvotimeve të pavlefshme në Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit 2025, ku u theksua se nga gjithsej 966,283 votues, vetëm 2.83% e fletëvotimeve ishin të pavlefshme, shifra më e ulët që nga viti 2007, kur filloi zbatimi i sistemit me lista të hapura.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori edhe këto vendime:

Zëvendësim i një anëtari të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut;
Miratim i raportit financiar të KQZ-së për periudhën janar – qershor 2025;
Miratim i raportit të shpenzimeve të derivateve për automjetet e KQZ-së për të njëjtën periudhë;
Zëvendësim i një anëtari të Kuvendit Komunal në Dragash;
Miratim i listës së kandidatëve potencial për anëtarë të komisionit të pranimit për pozitat në Departamentin e Teknologjisë Informative Zgjedhore dhe Shërbimin e Votuesve.

Related Articles