Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Kurtit në lidhje me ndryshimin e masës së sigurisë për ish-policin serb, Dejan Pantiq.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës shpreh shqetësim për kërkesën e Kryeministrit Albin Kurti për t’u informuar me emrin e gjyqtarit i cili ka marr vendim ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak.”
KGJK ia “rikujtoi” Kurtit se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave kushtetuese e ligjore.
“Rikujtojmë Kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm.”
Pasi Kurti pyeti se kush është gjyqtar, KGJK ka thënë se “personi zyrtar kompetent që ka marrë këtë vendim quhet gjyqtar i Republikës së Kosovës”.
“Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë.”