Ish-kampioni i peshave të lehta të UFC-së, Khabib Nurmagomedov (Khabib) ka tronditur tifozët e arteve marciale pasi ka njoftuar tërheqjen e tij përfundimtare nga MMA. Ai ka njoftuar se nuk do të punojë më as si trajner.
Nurmagomedov e përfundoi karrierën e tij si luftëtar në UFC në vitin 2020, dhe më pas provoi të bënte karrierë si trajner.
Mirëpo, Nurmagomedov tash ka bërë të ditur se edhe karrierës së tij si trajner i ka ardhur fundi.
Lajmi për pensionimin e tij ishte tronditës, sidomos kur mendohet se për luftëtarin të cilin e stërviste ai, Islam Mahachevin, sfidat më të mëdha po vijnë tani. Nurmagomedov ishte trajneri i tij kryesor në kampanjën drejt titullit të UFC-së në kategorinë deri në 70 kilogramë, kur mposhti Charles Oliveiran.
Mahachev do ta mbrojë titullin në muajin shkurt kundër Aleksandar Volkanovskit, por legjendari Nurmagomedov duket se nuk do ta përgatisë atë për këtë ndeshje.
Siç raportojnë mediat botërore, Khabib e ka marrë këtë vendim pasi dëshiron të kalojë më shumë kohë me familjen e tij.