Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka komentuar deklaratën e Donika Gërvallës në lidhje me presidentin Ibrahim Rugova në një tubim elektoral.
“Rugova është në GUXO, jo më në lidhjen e re, në rrugën e re, pra në qorrsokak”, tha Gërvalla.
Këtë deklaratë, Kica-Xhelili e quan ofendim.
Ajo tha se Gërvalla si kryediplomate ka punuar krejtësisht kundër ideologjisë së presidentit Rugova.
“Unë mendoj që çdo person që beson në shtyllat e themelet e presidentit Rugova është ndjerë tepër I ofenduar nga kjo deklaratë. Unë ndjejë keqardhje të skajshme që më duhet me komentu një deklaratë të tillë. Fatkeqësia më e madhe është se kjo deklaratë vjen prej një personi që ka pozicion kogja të rëndësishëm, e në atë pozicion ajo ka shkuar krejtësisht kundër ideologjisë së presidentit Rugova. Ka qenë Kosova shtet I pavarur e sovran, në integrim në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, dhe ju e dini saktësisht, maturinë dhe urtësinë e tij me aleatët tanë. Dhe këta e përfaqësojnë atë identitet politik a? Këta që e kanë fyer secili aleatë, që Kosovën e ka pru në pikën me qenë e pavarur?”, tha ajo në T7.
Kandidatja për deputete nga LDK-ja shtoi se VV-ja ka manipuluar edhe me Astrit Deharin, e madje shtoi se po e përdorin edhe të ndjerin policin Afrim Bunjaku.
“Ky është ofendim i skajshëm. Këta kanë manipuluar me Astrit Deharin derisa erdhën në pushtet, e kur erdhën nuk bënë asgjë. Ajo çka bënë në pushtet është se u dogj dy herë Instituti për Mjekësi Ligjore, u vodhën mostrat e pikërisht atij personi. Këta bukfalisht e përdorin Afrim Bunjakun për këtë fushatë. Një person që na takon të gjithëve, ai ka qenë duke e kryer punën e vet, nuk ka shku atje ne emër të VV-së, ka shku në emër të Policisë së Kosovës që është krijuar pa këta”, tha ajo.