Kica-Xhelili reagon pas publikimit të mesazheve të LDK-së për votat e diasporës

Kica-Xhelili reagon pas publikimit të mesazheve të LDK-së për votat e diasporës

Deputetja nga radhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas publikimit të bisedave për votat e diasporës, raporton Gazeta “Enigma”.

Kica-Xhelili përmes një postimi në Facebook tha se Lidhjen Demokratike të Kosovës po e sulmojnë tre grupe. Sipas saj, grupi i parë është grupi “ZdraVVo”, grupi i dytë është “PDK f.m. stereo” dhe grupi i tretë është “vështirë i identifikueshëm”.

“Grupi i parë, është grupi ZdraVVo. Grupi që pas kapelave të Nagip Krasniqit fsheh kokën e tij, por jo edhe mendimet e Dejona Mihalit (tjerët nuk kanë mendim, vetëm amplifikojnë atë që e mendon ajo). Këtyre sot nuk i konvenon LDK e betonuar kundër tyre. Prandaj, këta që kanë perfeksionuar për vete skemat e mafisë energjetike nëpër grupe të Ëhatsappit, e kanë hak partinë që ua shpërfaqi gjithë skemat korruptive”, tha ajo.

Tutje ajo ka shtuar se “grupi i dytë, është grupi PDK f.m. stereo. Grupi që me eksponentët e saj “analitik”, si një radio e stërvjetëruar, të shpërndarë nëpër emisione trumpetojnë se paskan mbështetur LDK-në, por se LDK qenka sot “e paguximshme dhe bllokuese”. Këta e kanë mbështetur rrejshëm një LDK me qëllimin që të bëhet levë e PDK-së, duke menduar që kështu e legjitimojnë presionin e tyre të mëvonshëm mbi LDK-në. Ju thash pra: të stërvjetëruar”.

“Grupi i tretë është më vështirë i identifikueshëm. Është zhurma e sulmeve që refuzon reformën në LDK. Me reformë nuk e mendoj ndryshimin gjeneracional, asnjëherë, por ndryshimin e mendësisë. Ndoshta nuk i konvenon kryetari; ndoshta nuk i konvenon LDK e qëndrimeve parimore, nuk e di.. por në një formë a tjetrën, bashkëshërbejnë në misionin e dy grupeve paraprake”, ka shkruar ajo. /Gazeta Enigma/

Related Articles