Kievi alarmon: Raketa balistike nga Koreja e Veriut po përdoren për të vrarë ukrainasit

Kievi alarmon: Raketa balistike nga Koreja e Veriut po përdoren për të vrarë ukrainasit

Kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kirilo Budanov, ka zbuluar se Koreja e Veriut furnizon deri në 40% të municioneve të artilerisë së Rusisë për luftën në Ukrainë.

Në një intervistë për Bloomberg, Budanov tha se Pheniani nuk dërgon vetëm predha, por edhe raketa balistike dhe sisteme të plota artilerie.

Ai shtoi se Rusia në këmbim ofron para dhe teknologji të avancuar, duke i ndihmuar kështu Koresë së Veriut të lehtësojë izolimin ndërkombëtar. “Këto janë armë të mira,” theksoi Budanov, duke shtuar se rreth 60% të humbjeve në njësitë e tij në tre muajt e fundit i shkaktojnë raketat nga Koreja e Veriut.

“Rezervat e tyre janë të mëdha dhe prodhimi nuk ndalet, vazhdon 24 orë në ditë,” tha ai më tej.

Bashkëpunimi mes Moskës dhe Phenianit u thellua që pas vizitës së Vladimir Putinit në Kore të Veriut në qershor të vitit të kaluar, ku u nënshkrua edhe një Marrëveshje Partneriteti Strategjik. Budanov tha gjithashtu se Koreja e Veriut ka dërguar mijëra trupa në rajonin e Kurskut për të ndihmuar ushtrinë ruse.

Ndërkohë, zyrtarët rusë, përfshirë ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov dhe këshilltarin e sigurisë Sergei Shoigu, kanë kryer vizita të shumta në Phenian gjatë muajve të fundit.

Pas ndërprerjes së dërgesave të armëve javën e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi rifillimin e tyre, duke përfshirë edhe sistemet kryesore të mbrojtjes ajrore. Trump këtë javë u shpreh se presidenti rus “po vret shumë njerëz” dhe kritikoi reagimet ndaj thirrjeve për armëpushim si “marrëzi”.

Budanov tha se mbështetja amerikane për Ukrainën do të vazhdojë dhe se një armëpushim është i mundur vetëm nëse Ukrainë, Rusia dhe SHBA arrijnë një marrëveshje. “Mund të arrihet edhe para fundit të vitit,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, Rusia vazhdoi sulmet e saj, duke lëshuar 728 dronë më 9 korrik dhe duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile. Kombet e Bashkuara raportuan për 232 viktima civile dhe 1,343 të plagosur në qershor, numri më i lartë në tre vjet.

Forcat ruse po bëjnë përparime të vogla në rajonet verilindore, përfshirë Sumy, dhe po përpiqen të depërtojnë në Donetsk dhe Dnipropetrovsk. Budanov tha se Rusia nuk do të mund të pushtojë të gjithë Donbasin deri në fund të vitit, por synon të krijojë një zonë tampon prej 10 kilometrash në territor.

Related Articles