Kievi dhe autoritetet ndërkombëtare i kanë dënuar sulmet e Rusisë ndaj sektorit civil të energjisë, ndërsa Ukraina e ka akuzuar Moskën për “terrorizëm bërthamor” pas sulmeve në nënstacione që janë thelbësore për furnizimin e termocentraleve bërthamore me rrymë.
“Sulmet e qëllimshme ndaj objekteve civile të energjisë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e sigurt të instalimeve bërthamore, bartin shenjat e terrorizmit bërthamor dhe përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës më 31 tetor.
Ministria iu referua një deklarate të një dite më parë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila përmendi sulme ushtarake që “kanë shkaktuar dëme në nënstacione jetike për sigurinë bërthamore në Ukrainë”.
Agjencia bërthamore e OKB-së tha se incidentet pranë termocentraleve bërthamore të Ukrainës jugore dhe Hmelnitski i kanë shkëputur këto objekte nga linjat e jashtme të energjisë elektrike.
Ajo shtoi se një stacion i tretë, ai në Rivne, ishte detyruar ta ulte prodhimin në dy nga katër reaktorët e tij për shkak të sulmeve.
“Rreziqet për sigurinë bërthamore mbeten shumë reale dhe të vazhdueshme. Edhe një herë bëj thirrje për përmbajtje maksimale ushtarake në afërsi të objekteve bërthamore”, tha drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi.
Tensione të larta rreth centralit të Zaporizhjas
Vëmendja kryesore është përqendruar në centralin bërthamor të Zaporizhjas, në juglindje të Ukrainës, ku po zhvillohen punime për riparimin e dëmeve nga sulmet e mëparshme.
“Ne po punojmë intensivisht për të krijuar kushtet e nevojshme që këto riparime shtesë të nisin. Rikthimi i kësaj linje të energjisë është thelbësor për përmirësimin e situatës së brishtë të sigurisë bërthamore në këtë vend”, tha Grossi.
Ky central – më i madhi në Evropë – është nën kontrollin rus që prej fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022.
Ai ka punuar me gjeneratorë rezervë me naftë që prej 23 shtatorit, kur u ndërprenë linjat e jashtme të energjisë.
Gjashtë reaktorët e centralit të Zaporizhjas janë të mbyllur tash e tri vjet dhe nuk prodhojnë më energji elektrike, por iu nevojitet rryma për sistemet e sigurisë, siç janë pompat ftohëse, për ta shmangur ndonjë aksident bërthamor.
Rusia mohon se e godet infrastrukturën civile, pavarësisht provave të shumta që e dëshmojnë të kundërtën. Ukraina i është kundërpërgjigjur Moskës duke goditur objekte me rëndësi ushtarake, shpesh thellë brenda territorit rus.
Më 31 tetor, Kievi njoftoi se kishte kryer rreth 160 sulme ndaj objekteve të industrisë së naftës ruse gjatë vitit 2025, duke synuar një burim të rëndësishëm financimi për luftën e Moskës.
Vendet perëndimore kanë vendosur gjithashtu sanksione ndaj sektorit energjetik rus, duke e kufizuar më tej rrjedhën e parave drejt Kremlinit.
