Kina i përgjigjet ndalesës së BE-së me kufizime ndaj importit të pajisjet mjekësore evropiane

Kina i përgjigjet ndalesës së BE-së me kufizime ndaj importit të pajisjet mjekësore evropiane

Ministria e Financave e Kinës njoftoi të dielën se do t’i kufizojë blerjet qeveritare të pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian që kalojnë vlerën mbi 45 milionë juanë, apo 6.3 milionë dollarë, si kundërpërgjigje ndaj masave kufizuese të Brukselit.

Marrëdhëniet midis Pekinit dhe Brukselit janë trazuar, pasi Bashkimi Evropian vendosi tarifa mbi automjetet elektrike të ndërtuara në Kinë dhe Kina vendosi taksa mbi importet e alkoolit nga BE-ja.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian njoftoi se do t’ua ndalonte kompanive kineze pjesëmarrjen në tenderë publikë të BE-së për pajisje mjekësore me vlerë 60 miliardë euro, ose më shumë në vit, pasi arriti në përfundimin se kompanitë evropiane nuk kishin qasje të barabartë në tregun kinez, raporton REL.

Kjo masë u ndërmor nga Komisioni Evropian në përputhje me Mekanizmin Ndërkombëtar të Prokurimeve të BE-së, që hyri në fuqi në vitin 2022 dhe synon të sigurojë qasje të ndërsjellë në tregje.

Kundërmasat e Kinës ishin të pritshme pasi Ministria e Tregtisë sinjalizoi “masa të nevojshme” kundër vendimit të BE-së në fund të muajit të kaluar.

“Për fat të keq, pavarësisht vullnetit të mirë dhe sinqeritetit të Kinës, BE-ja ka këmbëngulur të ndjekë rrugën e vet, duke ndërmarrë masa kufizuese dhe duke ngritur barriera të reja proteksioniste”, tha Ministria e Tregtisë në një deklaratë të dielën.

“Prandaj, Kina nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të marrë masa të ndërsjella kufizuese”, shtoi ajo.

Ministria e Financave tha gjithashtu se Kina do t’i kufizojë importet e pajisjeve mjekësore nga vende të tjera që përmbajnë komponentë të prodhuar në BE në më shumë se 50 për qind të vlerës së kontratës.

Masat hyjnë në fuqi qysh sot.

Ministria e Tregtisë sqaroi se produktet e kompanive evropiane që operojnë brenda Kinës nuk do të preken.

Të premten, Kina gjithashtu njoftoi vendosjen e tarifave deri në 34.9 për qind për pesë vjet mbi alkoolin e importuar nga Bashkimi Evropian – pjesa më e madhe prej tij konjak nga Franca – pas përfundimit të një hetimi që besohet të jetë kundërpërgjigje ndaj tarifave të BE-së për makinat elektrike.

Megjithatë, prodhuesit kryesorë të konjakut si Pernod Ricard, LVMH dhe Remy Cointreau u përjashtuan nga tarifat, me kusht që të shesin me një çmim minimal, të cilin Kina nuk e ka bërë publik.

Related Articles