Tre astronautë kinezë janë nisur më 17 qershor në stacionin e ri hapësinor të Kinës. Astronautët, dy prej të cilëve veteranë, janë nisur në stacionin hapësinor Tiangong, i cili është lëshuar në muajin prill.
Ata pritet të qëndrojnë aty për tre muaj për të kryer eksperimente, për të testuar pajisjet dhe për t’u përgatitur që të pranojnë dy module tjera të stacionit vitin e ardhshëm. Anija kozmike është nisur nga qendra Jiuquan në veriperëndim të Kinës.
Ky njëherësh shënon misionin e parë hapësinor të Kinës me ekip, dhe më të gjatin ndonjëherë. Nie Haisheng, 56-vjeçar, është astonauti më i vjetër i këtij misioni.
Ai ka thënë se bashkë me kolegët e tij do të duhet të organizojnë “shtëpinë” në modulin Tianhe, që është pak më i madh se një autobus.
“Detyra është shumë e madhe dhe ka shumë sfida. Kolegët e mi dhe unë do të bashkëpunojmë dhe do të punojmë me kujdes për të tejkaluar të gjitha vështirësitë”, u ka thënë Nie gazetarëve pak para nisjes.
Ky lansim përbën krenari për Kinën, teksa Pekini përgatitet për të shënuar 100-vjetorin e udhëheqësisë së Partisë Komuniste më 1 korrik.
Kina nuk është pjesëmarrëse e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, një bashkëpunim në mes të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Rusisë, Japonisë dhe agjencive të shteteve tjera.
Ky Stacion është lansuar më 1998, dhe pritet të mbyllet në pak vjet. Rusia ka thënë më herët gjatë këtij muaji do të heqë dorë nga projekti më 2025.