Rusia nuk dëshiron që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses sipas projekteve të Perëndimit, thotë një raport i publikuar më 1 mars në Prishtinë, nga Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).
Një përfundim i suksesshëm i dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, do të dëshmonte ndikimin e zvogëluar të Rusisë në çështjet botërore, sipas raportit.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja, ka nisur qysh në vitin 2011. Qëllimi është normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe njihet nga 117 shtete, por Serbia vazhdon ta konsiderojë pjesë të saj.
Sipas raportit të KIPRED-it, përfundimi me sukses i këtij dialogu do të çonte në konsolidimin e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës dhe sigurisë rajonale, ndërsa mbyllja e problemeve me Kosovën do të nxiste Serbinë për orientim drejt Perëndimit.
“Rrjedhimisht, braktisje e orbitës ruse në të cilën për momentin Serbia është duke lëvizur”, thotë raporti.
Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj aleates së saj, Rusisë, për shkak të luftës së paprovokuar në Ukrainë.
Cilat janë qëllimet e Rusisë?
Rrënimi i themeleve të shtetësisë së Kosovës, diskreditimi i politikave perëndimore ndaj dialogut dhe rifitimi drejtpërdrejt i një roli aktiv të Moskës në këtë proces, janë disa prej qëllimeve të Rusisë, sipas raportit të KIPRED-it.
Raporti, gjithashtu, thotë se lufta në Ukrainë e ka shpalosur thellësinë e marrëdhënieve politike, të sigurisë dhe ekonomike, mes Rusisë dhe Serbisë.
Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe tani lufta ka hyrë në vitin e tretë.
Kosova u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë.
“Rusia përpiqet ta shfrytëzojë rastin e Kosovës (intervenimin e NATO-s më 1999 dhe shpalljen e pavarësisë më 2008) si një monedhë shkëmbimi për grumbullimin e përfitimeve në Ukrainë dhe në Gjeorgji, për t’i legjitimuar luftërat e veta aneksuese”, thuhet në raport.
“Kosova me interes të veçantë për Kremlinin”
Hulumtuesja amerikane, Ivana Stradner, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është me interes të veçantë për Kremlinin pasi “mund ta përdorë për disa qëllime”.
“Për t’u siguruar që konflikti të mbetet ‘i ngrirë’ në mënyrë që (Vladimir) Putini të mund ta përshkallëzojë atë dhe të pozicionohet si “ndërmjetësues”, kështu që nëse Perëndimi nuk dëshiron që konflikti të vazhdojë më tutje, ata duhet të negociojnë me të”, thotë ajo.
Ajo shton se kjo është, gjithashtu, e dobishme për ata që, sipas saj, janë përfaqësuesit e Putinit në rajon.
Stradner këtu e përmend presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç thotë ajo, “po e përdor krizën për të përshkallëzuar dhe pastaj për të depërshkallëzuar situatën, dhe për ta pozicionuar veten si një burim stabiliteti në sytë e Perëndimit, për të qëndruar në pushtet”.
Propaganda kundër Perëndimit
Stradner thotë se Rusia, gjithashtu e përdor propagandën për ta portretizuar keq Perëndimin.
“Meqë NATO-ja shënon këtë vit 75-vjetorin dhe gjithashtu 25-vjetorin e ndërhyrjes në Kosovë, Moska do të përdorë operacionet e informacionit për të akuzuar NATO-n për përdorimin e uraniumit të varfëruar në Serbi, që gjoja se ka rritur numrin e rasteve të kancerit”, thotë ajo.
“Ajo, gjithashtu, do të akuzojë SHBA-në për hipokrizi dhe do të bëjë paralele me luftën në Ukrainë. Ne e dimë tashmë skenarin – ai ka qenë rreth e rrotull për një kohë të gjatë”, shton Stradner.
Stradner pret vazhdimin e tensioneve në rajon, e në veçanti përmend Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën.
“Evropa dhe SHBA-ja janë të hutuara me çështje të brendshme, sikurse zgjedhjet. Është një ëndërr e realizuar për Rusinë për të shkaktuar më shumë kaos në Evropë. Moldavia dhe Ballkani janë pjesë e së njëjtës strategji”, thotë ajo.
Sipas raportit të KIPRED-it, mungesa e unanimitetit përbrenda komunitetit euroatlantik ndaj Kosovës, me pesë shtetet mosnjohëse, ka krijuar më shumë hapësirë manovrues për Rusinë, për t’i penguar përpjekjet perëndimore dhe “për t’u angazhuar me këmbëngulje në rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës dhe për destabilizimin e rajonit”.
Raporti thekson se një shtysë e rëndësishme e Rusisë për ta ndikuar dialogun Kosovë-Serbi është fuqia e saj për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në OSBE.
Profesori universitar, Bekim Sejdiu, i cili është edhe hulumtues në KIPRED, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia është e interesuar që të delegjitimojë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Gjithashtu, Rusia synon ta diskreditojë përfshirjen e perëndimit në këtë proces”, thotë ai.
“Rusia e vetme nuk është se mund të ketë ndonjë rol vendimtar në procesin e dialogut, mirëpo kur kemi parasysh sidomos mungesën në momente të caktuara, të koherencës së Perëndimit, si dhe konsensusit në kuadër të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për sa i përket pavarësisë së Kosovës, kjo domosdo e krijon një hapësirë manovruese më të madhe ku Rusia gjen mundësi të ushtrojë këtë ndikim”, thotë ai.
Ai thotë se qëllimi primar i Rusisë është që të mos lejojë stabilizimin e Ballkanit sipas parametrave euroatlantikë.
“Efekti i kësaj është çështje të hapura, konflikte dhe jostabilitet i vazhdueshëm që ne e shohim – jo vetëm në disa pjesë të Kosovës, por edhe në disa pjesë të rajonit si për shembull në Bosnje, Mal të Zi e kështu me radhë”, thotë ai.
Së fundmi, edhe Instituti Royal United Services [RUSI] me bazë në Mbretëri të Bashkuar tha se Rusia është duke rindërtuar kapacitete për t’i destabilizuar shtetet evropiane dhe për të zgjeruar ndikimin në Lindje të Mesme dhe Afrikë, duke krijuar kështu kërcënim strategjik për NATO-n dhe anëtarët e saj, të cilët janë të fokusuar te lufta në Ukrainë.
Mes tjerash, në raport përmendet edhe se si shtrirja e ndikimit bëhet, po ashtu, përmes shoqatave të ndryshme bamirëse, dhe ndër to është Fondacioni Ahmat Kadyrov, i cili tenton të popullarizojë Kadyrovin si figurë fetare.
Punë të ngjashme bën edhe entiteti Forumi Islamik Evropian, një organizatë që ka selinë në Bruksel dhe është themeluar në tetor të vitit 2018.