Kirby i reagon ministrit izraelit: S’do lejojmë “ekstremistët” t’i çorientojnë bisedimet për Gazën

Kirby i reagon ministrit izraelit: S’do lejojmë “ekstremistët” t’i çorientojnë bisedimet për Gazën

Administrata e presidenti Joe Biden nuk do t’i lejojë “ekstremistët”, përfshirë Izraelin, që t’i çorientojnë bisedimet për armëpushim në Rripin e Gazës, tha të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Kirby e akuzoi ministrin e Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, për pretendime të rrejshme.

Ai tha se pretendimet e Smotrichit se marrëveshja për armëpushim në Gazë do të nënkuptonte dorëzim para Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – apo që pengjet nuk duhet të këmbehen për të burgosurit, janë “plotësisht të gabuara”.

Smotrichi po e çorienton popullin izraelit, sipas Kirbyt.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ka muaj që po përpiqen t’i bindin palët të rikthehen në tavolinën e bisedimeve për armëpushim në luftën tashmë 10-mujore në Gazë, por janë përballur vazhdimisht me pengesa nga Izraeli dhe Hamasi.

Zyrtarët amerikanë besojnë se propozimi i fundit i ka afruar palët më së shumti drejt pajtimit për lirimin e grave, të sëmurëve dhe të moshuarve që po mbahen peng nga Hamasi në Gazë prej sulmit të 7 tetorit, në këmbim të një armëpushimi së paku gjashtëjavor të gjatë.

“Ne duam të arrihet një marrëveshje. Ne besojmë se ende është e mundur të arrihet kjo… por do të nevojitet lidership në të dyja anët, si dhe kompromise”, tha Kirby.

Të enjten, Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti – të cilat i ndërmjetësojnë bisedimet – u bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit për rifillimin e bisedimeve për armëpushim.

Përmes një deklarate të përbashkët, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti ftuan palët e përfshira në konflikt që të rinisin bisedimet më 15 gusht në Doha apo Kajro “me qëllim që të tejkalohen ndasitë dhe marrëveshja të nisë së zbatuari pa vonesa”.

Kirby tha se disa kritikë, si Smotrich, kanë pretenduar se marrëveshja për pengjet është “dorëzim para Hamasit apo se pengjet nuk duhet të këmbehen me të burgosur [palestinezë]”, dhe se lufta duhet të vazhdojë për kohë të papërcaktuar.

“Këto argumente janë plotësisht të gabuara”, tha Kirby.

Izraeli thotë se synimi i tij është ta shkatërrojë Hamasin, pas sulmit të 7 tetorit, në të cilin militantët nga Gaza u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Pas një rundi këmbimesh në nëntor, Izraeli thotë se edhe 111 pengje po mbahen në Gazë, përfshirë trupat e pajetë të 39 pengjeve.

Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka lënë të vdekur rreth 40.000 palestinezë dhe më shumë se 91.700 të tjerë të plagosur.

Më shumë se 1.9 milion njerëz të popullsisë së përgjithshme prej 2.3 milionë banorësh të Gazës së paraluftës janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, duke u zhvendosur vazhdimisht nëpër territorin e vogël për t’i ikur luftës. /REL

Related Articles