Kishida shkarkon sekretarin e tij për shkak të komenteve homofobike

Kishida shkarkon sekretarin e tij për shkak të komenteve homofobike

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka shkarkuar Sekretarin e Zyrës, Masayoshi Arai, për shkak të komenteve të tij homofobike.

Arai tha se ai “as nuk dëshiron të shoh” çifte e martuara të së njëjtës gjini. Ai shtoi se “nuk do të donte as të jetonte afër me çiftet e së njëjtës gjini”.

Të njëjtën ditë, Arai tërhoqi komentet e tij dhe kërkoi falje, duke thënë se komentet e tij ishin të papërshtatshme, edhe nëse ishin mendimi i tij personal.

Kishida qortoi komentet e Arait dhe i quajti ato “të egra dhe krejtësisht të papajtueshme me politikat e administratës”.

Kishida u tha gazetarëve se Japonia aktualisht “ka synim një shoqëri gjithëpërfshirëse…që njeh diversitetin”.

Japonia është i vetmi vend i G7-ës që nuk i njeh bashkimet e të njëjtës gjini. Kushtetuta japoneze artikulon se “martesa duhet të bazohet vetëm në pëlqimin e ndërsjellë të të dy gjinive dhe me të drejta të barabarta të burrit dhe gruas”.

Aktualisht, çiftet e të njëjtit seks në Japoni nuk mund të trashëgojnë asetet e njëri-tjetrit dhe u mohohen të drejtat prindërore.

Këtë javë, Kishida i tha parlamentit se martesat e të njëjtit seks do të ndikonin në shoqëri dhe se ligjvënësit duhet të jenë “shumë të kujdesshëm” në shqyrtimin e çështjes.

Lëvizja drejt legalizimit të martesës së të njëjtit seks është në rritje në Japoni dhe komentet e Arias shkaktuan protesta, raporton DW, përcjell Klankosova.tv.

Në një sondazh të kryer nga NHK në korrik 2021, dy muaj përpara se Kishida të bëhej kryeministër, 57% e 1,508 të anketuarve mbështetën njohjen ligjore të çifteve të së njëjtës gjini.

Në nëntor, një gjykatë në Tokio mbështeti ndalimin e martesës së të njëjtit seks. Megjithatë, gjykata gjithashtu theksoi se mungesa e legjislacionit për martesat e të njëjtit seks shkelte të drejtat e tyre njerëzore.

Related Articles