Policia Kufitare e Vlorës dhe Delta Forcë i kanë shkuar në ndihmë 5 shtetasve që kishin ngelur në det dhe e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues skaf.
Mësohet se mjeti lundrues i tyre kishte pësuar defekt dhe turistët kishin mbetur në plazhin e Zhapovelit, Karaburun.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, për t’iu shkuar në ndihmë 5 shtetasve të cilët ndodheshin në mjetin lundrues i cili e kishte të pamundur lundrimin dhe kthimin në breg”- njofton policia.
Shërbimet e Policisë, me mjetet e Policisë Kufitare, kanë shoqëruar në breg, mjetin lundrues gomone, së bashku me personat në bord, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, në SPK Triport.