Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar të gjithë besimtarët që kremtojnë Fitër Bajramin.
Konjufca thekson se kjo ditë e paqes me veten dhe me të tjerët, na jep mësimin për të ndarë dashuri, solidaritet, respekt, mirënjohje dhe përkujdes ndaj njëri-tjetrit.
“Gëzuar Fitër Bajramin! Në frymën e përnaltësimit të shpirtit prej vetëmohimit të gjatë të agjërimit, festojmë Bajramin me urimet më të përzemërta për mbarësi e begati, shëndet e mirësi për të gjithë!”, shkroi Konjufca.
“Kjo ditë e paqes me veten dhe me të tjerët, na jep mësimin për të ndarë dashuri, solidaritet, respekt, mirënjohje dhe përkujdes ndaj njëri-tjetrit, sidomos nevojtarëve. Kjo ditë vjen me mesazhin se me gatishmërinë për të humbur paksa nga vetja, me durimin në situatat e vështira me të cilat përballemi çdo ditë, shpërblimi është më i madh për gjithsecilin, me një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë”.
“Të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj Fitër Bajramin, me harmoni në çdo familje, me mirësi në zemrat e secilit!”.