I akuzuari Vladimit Toliq tha se është fakt i ditur që më 24 shtator 2023 ka qenë në Banjskë, por se nuk ka gjuajtur në askënd.
Ai shprehu keqardhje për humbjen e jetës së zyrtarit policor Afrim Bunjaku.
“Gjatë mjekimit kam kuptuar se ka humbur jetën zyrtari policor, që më vjen shumë keq për këtë. Do të shtoj diçka, se unë Vladimir Toliq më 24 shtator në askënd nuk kam gjuajtur dhe nuk kam pasur qasje në mjete eksplozive”, tha ai gjatë fjalës hyrëse.
I akuzuari falënderoi ekipin mjekësor që ia kanë shpëtuar jetën.
“Pajtohem me avokatin. Unë kam qenë në Banjskë më 24 shtator dhe është e qartë, por motivi i pranisë time dhe pjesëmarrja në atë ngjarje dallon nga ajo si është e cekur në aktakuzë. Në asnjë moment s’kam mundur të supozoj se çka po ndodh dhe pasojat që kanë qenë në fund. Të gjithë ne e dimë se kam qenë i plagosur rëndë, jam mjekuar në Prishtinë”, tha Toliq.
Para tij, edhe mbrojtësi i Toliq, avokati Millosh Deleviq, tha se fjalën hyrëse e ka përgatitur me shkrim dhe të njëjtën ia dorëzoi gjykatës. Ai shtoi se kishte presion në ngritje të kësaj aktakuze.
“Është rasti më kompleks dhe më i rëndë që i ka ndodhur Republikës së Kosovës, është bërë presion i rëndë dhe i lartë ndaj Prokurorisë Speciale, është paraqitur presioni përmes mediave, publikut dhe posaçërisht përmes pushtetit ekzekutiv. Tre muaj pas ngjarjeve në Banjskë, kryeministri i Kosovës ka bërë pyetje se përse s’kemi aktakuzë lidhur me këtë rast, çdo muaj përmes mediave është kërkuar nga Prokuroria që të përfundohen hetimet dhe të akuzohen për atë që Prokuroria Speciale ka pasur edhe gjashtë muaj afat. Prokuroria e bëri për më pak se një vit”, tha Deleviq.
Sipas tij, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se çfarë role kanë pasur se çka individualisht kanë vepruar. Shtoi se nuk ka konkretizime për asnjë pjesëtar lidhur me veprimtarinë e tyre, përveç që thuhet se udhëheqës ka qenë Milan Radoiçiq.
“Nuk dihet kush i ka marrë pengjet, nuk kemi përgjigje për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe për armëmbajtje pa leje. Nuk kemi përgjigje, këto që do duhej të ishin në aktakuzë’, tha ai.
Deleviq theksoi se pas administrimit të provave do të vërtetohet se i mbrojturi i tij Toliq nuk ka pasur rol domethënëse. Falënderoi Policinë e Kosovës që i kishin ofruar ndihmë Toliqit kur ishte plagosur.
Avokati tha se do të vërtetohet se i akuzuari Toliq nuk ka pasur komunikime me udhëheqësit e grupit dhe se provat nuk kanë të bëjnë me të dhe nuk janë relevante për vërtetimin e fajësisë për këto vepra penale.
“Prokuroria nuk ka asnjë provë që e vë në lidhje të drejtpërdrejtë me humbjen tragjike të zyrtarit policor Afrim Bunjaku. Do të shohim se Vladimit Tolit nuk ka ditur për plan të mirëorganizuar sikurse pretendon Prokuroria dhe qëllim për shkëputje të pjesës veriore të Kosovës”, tha Deleviq.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë që sa më shpejtë të ndryshojë aktakuzën dhe të konkretizojë veprimet e të mbrojturit të tij. Nëse kjo bëhet, tha se do të shqyrtojnë sërish deklarimin rreth fajësisë.
“Pajtohem që duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë dhe lus kolegët avokatë që të përmbahen nga kërkesa për burgim të përjetshëm, të paktën derisa të përfundohet procedura e provave”, tha Deleviq.