Vlera e pasurive të paluajtshme të Ramush Haradinajt po del të jetë mbi 1 milionë euro, bazuar në deklarimin e pasurisë për vitin 2022.
Tri shtëpi banimi, dy toka, një apartament dhe një vilë është pasuria që posedon kreu i AAK-së, njëherit ish-kryeministri i Kosovës.
As kësaj here ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk i ka deklaruar disa prona të blera në Komunën e Shtërpcës, ku ndodhet edhe Qendra e Skijimit – Brezovica.
Haradinaj ka 50 % të aksioneve në kompaninë ndërtimore HCC dhe 100 % në atë “Mamo”.
Në bazë të regjistrimit për deklarimin e pasurisë, Haradinaj po del të ketë edhe borxhe të mëdha. Ai e ka një kredi në vlerë prej 111 mijë euro, të cilën e ka marrë për blerjen e shtëpisë e që pritet ta lajë në vitin 2031.
Ai ka edhe obligim tatimor në vlerë mbi 7920 euro, si dhe 20 mijë euro të tjera që i ka marrë kredi për banesë.
Nuk i mungojnë as paratë e gatshme. Haradinaj ka deklaruar se i ka rreth 24 mijë euro para të gatshme në banka, plus afër 9 mijë të bashkëshortes.
Të hyrat vjetore të tij e kapin shifrën e 56,950 eurove. Goxha para arkëton edhe gruaja e tij, mbi 65 mijë euro në vit. Pra, të dy bashkë mbi 120 mijë euro.