Mbas 16 vjetësh në krye të qeverisë gjermane, Angela Merkel, ndahet me një ceremoni të madhe ushtarake.
Në këto 16 vjet të drejtimit të qeverisë Merkel kishte kaluar shumë kriza, prandaj edhe ajo quhej “kancelarja e krizave”. “Ishin 16 vjet plot ngjarje dhe sfida, që kanë kërkuar shumë prej meje, por edhe më kanë plotësuar”, tha Merkel.
Angela Merkel, gjatë ceremonisë së ndarjes nga detyra, të enjten, më 2 dhejtor 2021, në Berlin.
Në fjalën e lamtumirës ajo përmendi tre krizat kryesore: atë të sistemit bankar, në vitin 2008, krizën e migracionit në vitin 2016 dhe atë të pandemisë së virusit corona. Ajo kujtoi parimin e qeverisjes së saj për “barazimin e interesave”, duke dëgjuar gjithmonë edhe palën tjetër. “Ju inkurajoj që ta shihni botën edhe me sytë e tjetrit dhe të merrnin perspektivën e tjetrit, edhe nëse ajo është jokomode”, porositi politikania demokristiane.
Ndër të tjera ajo lëvdoi edhe kulturën e debatit në Gjermani “për të cilën na e kanë zili në shumë vende të botës.” Ajo falënderoi edhe familjen dhe i uroi pasardhësit të saj Olaf Scholz: Gjithë të mirat dhe një dorë të mbarë dhe shumë suksese!
Në ceremoninë e zhvilluar në oborrin e Ministrisë së Mbrojtjes ishin ftuar bashkëpunëtorë të kancelares gjermane nga katër qeveri. Merkel qeverisi 16 vjet dhe ishte kancelarja e parë e Gjermanisë që nuk u hoq nga ky post, por u largua me dëshirë.
Porosia e saj e fundit:
“Unë jam e bindur se ne mund të vijojmë ta formësojmë të ardhmen tonë, nëse nuk i hyjmë punës me negativitet, me smirë, me pesimizëm, por, siç e kam thënë edhe gjetkë para tri vjetësh, me gaz në zemër. Unë kështu kam vepruar gjithmonë, në RDGJ, por edhe, dhe sidomos, në kushtet e lirisë. Është ky gaz në zemër, që ua uroj të gjithëve, dhe në kuptimin figurativ, edhe vendit tonë”.
Tri këngët e ndarjes
Një citat prej të cilit secili mund të interpretojë edhe pse Angela Merkel kishte përzgjedhur në repertorin e ceremonisë ato tri këngë.
“Du hast den Farbfilm vergessen” (Ke harruar filmin me ngjyra) – nga këngëtarja ish-gjermanolindore Nina Hagen, e cila njihet edhe si gjyshja e muzikës punk në ish RDGJ, ku Merkel është socializuar;
“Für mich soll es rote Rosen regnen” (Për mua trëndafilat bien nga qielli” nga këngëtarja gjermane, Hildegard Knef, një reflektim për fazat e ndryshme të jetës së një gruaje që ende ëndërron, dëshiron dhe beson në mrekulli; një këngë kishtare “Großer Gott, wir loben dich” (Zot i madh, ne të lëvdojmë) – e cila na tregon dhe anën tjetër të protestantes dhe bijës së priftit, Angela Merkel.
Angela Merkel, e ardhur në pushtet në vitin 2005, ishte e vetmja kancelare e Gjermanisë, që nuk humbi zgjedhjet, por u largua vetë. /DW