Sekretari Organizativ i OVL e UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë para protestuesve se kanë pranuar një ftesë zyrtare për takim nesër me kryeministrin Albin Kurti, ministrin Hekuran Murati dhe një anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa.
“E morëm një ftesë zyrtare për takim me kryeministrin dhe ministrin e Financave për nesër në orën 09:00. Ishte një kërkesë e jona sepse ne takimeve nuk ju kemi ik asnjëherë”,ka thënë Klinaku.
Ai ka shtuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit, derisa të anulohet krejtësisht seanca e Kuvendit për sot.
“Kërkesa jonë qysh në mëngjes ka qenë që të ndërpritet seanca dhe të mos mbahet asnjë seancë derisa të ulemi e të bisedojmë e ta kthejmë ligjin në vend ku ka qenë do të qëndrojmë këtu, këta duhet ta ndërprenë seancën e sotme”, tha Klinaku.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës foli për pagën minimale dhe çështjen e veteranëve të luftës, ndërsa tha se nuk po shkon në Forumin e Prespës dhe së bashku me ministrin e Financave dhe kryetarin e Komisionit parlamentar për buxhet do t’i takojë përfaqësuesit e veteranëve.
Ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se Qeveria e Kosovës me politikat dhe veprimet e saj gjithmonë ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirimin e vendit.