Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim, ka diskutuar rreth mbështetjes që kjo lëvizje i ka dhënë veteranëve të luftës së UÇK-së, të cilët kanë protestuar dje duke kërkuar përfshirje në Ligjin për Paga.
Klinaku nuk la pa e komentuar edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, për të cilin u shpreh se është njeri i smutë.
“A është Kurti anti-UÇK, kjo është politike dhe partiake. Unë e shoh nga prizmi i partisë sime dhe botëkuptimeve të mija, nuk e shoh Albinin si anti-UÇK sepse nuk e shoh as si UÇK. Albin Kurti absolut asnjë filozofi politike nuk e ka të etablume, as nuk i interesojnë ato fare. As nuk është i majtë, as i djathtë, as nuk është i verdhë as i kuq, ai është i zi, është i zi futë, ai është njeri i smutë dhe ka ardh qysh ka ardhë në pushtet”, ka thënë Klinaku në T7.
Klinaku ka thënë se askush nuk e konteston se kryeministri Albin Kurti ka qenë pjesë e UÇK-së, por ka thënë se nuk dihet kur i njëjti është larguar nga kjo ushtri.
“Selimi dhe Remi kanë thënë se Kurti ka qenë pjesë e UÇK-së, askush nuk e konteston këtë, ai ka punu në zyre. Por a është larguar më herët dhe a e përfshin Ligji, kjo është e kontestueshme”, ka thënë Klinaku.