Klinaku thirrje të fundit deputetëve: Mos e miratoni projektligjin diskriminues, do të protestojmë para institucioneve natë e ditë

Klinaku thirrje të fundit deputetëve: Mos e miratoni projektligjin diskriminues, do të protestojmë para institucioneve natë e ditë

Ushtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku iu ka bërë një thirrje të fundit deputetëve që të mos mbështesin projektligjin që ai e ka quajtur diskriminues ndaj kategorive të luftës.

Klinaku, përmes një postimi në Facebook ka thënë se shoqatat e dala nga lufta mbrojnë interesat e  veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe jo interesat e partive politike.

”Të nderuar deputetë, që ju ka mbetur pak dinjitet! Mos e miratoni nesër projektligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së e për inate politike, sepse ne jemi duke mbrojtur interesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe jo interesat e partive politike’’.

Ai iu ka bërë thirrje edhe deputetëve të pakicave që të veprojnë në mbrojtje të interesave të pakicave e jo kundër interesave të kategorive të luftës.

“Të nderuar deputetë të pakicave! Mos u rreshtoni kundër interesave të kategorive të luftës së UÇK-së, sepse ju jeni në bashkëqeverisje aty për interesat e pakicave që i përfaqësoni”.

Klinaku, gjithashtu, paralajmëron se nëse nuk dëgjohet thirrja e tij do të detyrohen të organizojnë protestë para institucioneve.

“Në të kundërtën, nëse nuk i dëgjoni thirrjet, do t’na detyroni që të organizojmë protestë për të qëndruar para institucioneve natë e ditë”, ka shtuar tutje Klinaku.

Related Articles