Klinika e Pediatrisë është duke kërkuar që urgjentisht të rritet stafi mjekësor.
Zëvendës drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Rufadije Maçastena- Maxhuni, ka thënë se është vështirë që një motër të përcjell 20 deri në 30 fëmijë.
“Kapaciteti i klinikës është ai kapacitet hapësinor i cili ka qenë dhe më parë, mirëpo punën mjaft keq e kemi me personelin e mesëm, kemi shumë probleme për shkak se janë edhe pushimet që tashmë disa herë janë ndërprerë për shkaqe të pandemisë, dhe janë grumbulluar qysh në vitin 2019 kanë mbetur shumë pushime pa i shfrytëzuar, viti 2020 e të mos flas që kemi hyrë në pushimet e vitit 2021, po e kanë të pamundur që mos me marrë një pushim”.
“Urgjentisht duhet të rritet stafi i mesëm i infermierëve, ne po ja dalim disi sepse po angazhojmë nga repartet e tjera, por duhet me pa kapacitetin se nuk mundet një motër t’i përcjell 20 deri 30 fëmijë. E kisha bë edhe një kërkesë tjetër pasi kemi ambulanca familjare mjaftueshëm, atëherë të ju drejtohen edhe ambulancave dhe jo gjithmonë klinikës vetëm deri në raste urgjente”, tha Maçastena-Maxhuni.
Tutje ajo thotë se edhe temperaturat e larta kanë ndikuar që të shtohet edhe fluksi i madh i punës, dhe vizitat për të kontrolluar fëmijët të jenë më të shumta, si me ankesa nga vjellje, temperaturë, barkqitje etj.
“Po normal që edhe këto temperaturat shumë të larta që po mbretërojnë këto ditë në vendin tonë shkaktojnë edhe fluksin më të madh, duke filluar nga problemet e ndryshme si temperaturë, vjellje, barkqitje të ndryshme, por për momentin po flas që rastet që janë të hospitalizuar me Covid, më tepër kanë probleme respiratore. Tash është duke na u ngatërruar edhe varianti Delta i cili simptomatikën po e prek edhe traktin gastrointenstinal, po për momentin nuk kemi të konfirmuar”, theksoi tutje ajo.
Si përfundim Maçastena tha në Klinikën e Pediatrisë mbi 95% e stafit janë vaksinuar, që të jenë mbrojtje e fëmijëve që vinë për trajtim.
“Mjekët në përgjithësi janë të vaksinuar me dy doza, besoj që edhe personeli i mesëm infermierët janë të vaksinuar, mundem me thanë që 95 % klinika e pediatrisë janë të vaksinuar”, përfundoi ajo./EO/