Klodian Braho do të udhëheqë Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK), pasi mori shtatë vota nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, raportojnë mediat në Shqipëri.
Ai do të marrë drejtimin e SPAK-ut pasi kreut aktual, Altin Dumani, t’i përfundojë mandati.
Braho ka përvojë 18-vjeçare në sistemin e drejtësisë dhe është pjesë e SPAK-ut që nga themelimi i këtij institucioni në dhjetor të vitit 2019.
Mediat në Shqipëri raportojnë se Braho para Këshillit të Lartë të Prokurorisë prezantoi arritjet e tij, duke përmendur edhe konfiskimin e 18.4 milionë eurove të krimit më 2023.
Ai deklaroi se synon të forcojë SPAK-un duke themeluar një sektor të posaçëm për analizën e informacionit. Gjatë prezantimit Braho tha se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i barazisë para ligjit ishin prioritete kryesore të kandidimit të tij, teksa theksoi se është e rëndësishme që të mbështetet pavarësia e prokurorëve.
Për kreun e SPAK-ut ishin katër kandidatë që prezantuan platformën e tyre para Këshillit të Lartë. Në këtë seance ishte e pranishme edhe e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadori i BE‑së, Silvio Gonzato, dhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott.
Braho do të jetë udhëheqësi i tretë i SPAK-ut. Kryetari i parë ishte Arben Kraja dhe më pas e mori drejtimin Altin Dumani.
Braho ka mandat 3-vjeçar në krye të SPAK-ut dhe nuk ka të drejtë të rizgjedhjes.
Një ditë para zgjedhjes së kreut të ri, zëvendësdrejtori për Çështje të Evropës Qendrore dhe Lindore i SHBA-së, Lyn Bebevoise vizitoi SPAK-un dhe shprehu mirënjohje për punën e Dumanit me autoritetet amerikane për të luftuar rrjetet e paligjshme “që kërcënojnë sigurinë e SHBA-së dhe luftën kundër korrupsionit, i cili dëmton kompanitë dhe investitorët amerikanë”.
“Përpjekjet e zotit Dumani vendosin standardin për një bashkëpunim të fortë SHBA-Shqipëri kundër organizatave kriminale transnacionale, që shpresojmë se do të vazhdojë edhe pasardhësi i tij”, u tha në njoftim.
Karriera e Brahos
Braho, 43-vjeçar, ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë më 2004 dhe më 2008 në Shkollën e Magjistraturës.
Ka qenë prokuror në Prokurorinë e Beratit dhe më pas në atë të Vlorës ku ishte pjesë e njësisë Task-Forcë dhe për dy vjet e drejtoi atë. Ai ishte edhe zëvendësdrejtues i kësaj prokurorie.
Nga viti 2016 deri më 2019 punoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si pjesë e njësisë për hetimin e korrupsionit dhe pasurisë, me kompetencë për të hetuar zyrtarët e lartë shtetërorë dhe zyrtarët e drejtësisë.
Ndërkaq, që nga dita e themelimit të SPAK-ut ai është pjesë e saj. Nga prilli i vitit 2023, Braho mbajti detyrën e drejtuesit të seksionit kundër korrupsionit në SPAK.
SPAK është krijuar në dhjetor të vitit 2019, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan më 2016. Kjo strukturë ka hetuar disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë, të cilët janë duke e vuajtur dënimin.
Ky organ ka kryer hetime kundër korrupsionit ndaj figurave të larta, sikurse ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të vitit të kaluar, ndërkaq Meta gjendet në paraburgim.
Së voni, struktura kundër korrupsionit ka ngritur aktakuzë ndaj ndaj zëvendëskryeministres të Shqipërisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo është pezulluar nga detyrat shtetërore dhe i është ndaluar largimi nga Shqipëria.
