Avokati i familjes së Afrim Bunjakut, Arianit Koci ka njoftuar se ndonëse ende janë në kërkim, 42 personat që dyshohet se janë të përfshirë në aktin e agresionit në Banjska janë nën përndjekjen e INTERPOL-it, që nënkupton se ata nuk mund ta lëshojnë Serbinë, raporton Gazeta Enigma.
Koci para mediave deklaroi se ky është lajm i mirë.
“Ky është gjykim kompleks për vete palët e dëmtuara. Unë jam përfaqësues i familjes së policit të ndjerë Afrim Bunjaku, dhe ne kemi interes që sa më shpejt të kryhet ky proces për shkak se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Por nuk guxojmë ta bëjmë as një gabim procedural në mënyrë që Gjykata e Apelit të mos na kthej në rigjykim, në këtë konsultim mendoj që duhet të shkoj vetë procesi i gjykimit. I kemi 42 persona të cilët nuk janë nën drejtësinë e Kosovës e që janë në arrati, lajmi i mirë është që gjithë këta 42 persona janë në kërkesën e kuqe të Interpolit, as njëri prej tyre nuk mund ta lëshoj më Serbinë, përndryshe do të arrestohej menjëherë”, tha Koci.
“Ftoj prokurorin që sa më pak të deklarohet për këtë rast sepse po e pengon vetë procesin. Propozimi të merret mendimi juridik i Gjykatës Supreme është i imi, për shkak se ne nuk kemi praktike gjyqësore për këtë çështje dhe nuk dua që të bëjmë gabime”, shtoi tutje ai. / Gazeta Enigma.