Avokati kosovar Arianit Koci i cili ndodhet në Beograd, në cilësinë e mbrojtësit ligjor të Mit’hat Lozhanit, i arrestuar nga policia serbe, ka kërkuar reagim të menjëhershëm institucional dhe ndërkombëtar, raporton Gazeta Enigma.
Ai tha se Lozhani është keqtrajtuar në burgun e Serbisë.
Ai ka kërkuar ekzaminim mjekësor të pavarur për të ndaluarin, dokumentim zyrtar të çdo lëndimi të mundshëm, sqarim lidhur me mënyrën dhe kushtet e marrjes në pyetje, si dhe masa konkrete për sigurinë fizike dhe psikologjike të tij. Po ashtu, Koci ka theksuar nevojën për veçim nga të burgosurit e tjerë nëse ekziston rrezik për sigurinë e Lozhanit.
“Autoritetet që e mbajnë në paraburgim mbajnë përgjegjësi të plotë për jetën dhe shëndetin e tij. Çdo devijim nga standardet bie ndesh me Nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon trajtimin çnjerëzor apo degradues”, ka theksuar Koci, duke kërkuar transparencë dhe monitorim serioz ndërkombëtar të rastit.
Postimi i plotë:
Jam në Beograd, në cilësinë e avokatit, për rastin e arrestimit të Mit’hat Lozhanit nga policia serbe.
Ky rast po shkon në drejtim që kërkon reagim të menjëhershëm.
Janë marrë informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në pyetje të vazhdueshme dhe presion brenda paraburgimit.
Këto pretendime duhet me u verifiku menjëherë.
Duhet:
– ekzaminim mjekësor i pavarur;
– dokumentim zyrtar i çdo lëndimi të mundshëm;
– sqarim për mënyrën dhe kushtet e marrjes në pyetje;
– masa konkrete për sigurinë fizike dhe psikologjike;
– veçim nga të burgosurit tjerë, nëse ka rrezik për sigurinë e tij.
Autoritetet që e mbajnë në paraburgim mbajnë përgjegjësi të plotë për jetën dhe shëndetin e tij.
Çdo devijim nga standardet bie ndesh me Nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon trajtimin çnjerëzor apo degradues.
Prandaj, kërkoj transparencë dhe monitorim serioz ndërkombëtar.
Mit’hat Lozhani gëzon prezumimin e pafajësisë. Kjo duhet me u respektu në çdo fazë të procedurës.
Nëse ka proces të drejtë dhe transparent, e vërteta për këtë rast do të dalë; do të lirohet.
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet me e trajtu këtë si çështje urgjente. Siguria e shtetasve tanë jashtë vendit është detyrim kushtetues.
Për më tepër, asnjë qytetar i Kosovës nuk guxon me u lënë i pambrojtur.
Sidoqoftë, jam në terren, duke e përcjell çdo zhvillim nga afër.
E transparenca është mbrojtja më e mirë.
P.S.
Duke e pa praktikën e ndalimeve, u bëj thirrje shtetasve të Kosovës, sidomos atyne që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së apo të strukturave të sigurisë, me e shmang transitin nëpër Serbi derisa të ketë siguri juridike dhe fizike.
