Avokati Arianit Koci ka thënë se anekset e shtuara në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore janë ndërtuar pa standarde.
Koci ka theksuar se dy herë që instituti është përfshirë nga flakët, ka qenë në anekset e shtuara ndërkohë dhe kjo për shkak të mosmarrjes parasysh të rregullave të ndërtimit.
“Për djegie, kam informacion të tjera, që më e mundshme është që ka pasur neglizhenca. Instituti është ndërtuar më 2006 dhe është ndërtuar shumë mirë. Diku në vitin 2009 është bë një shtojcë, është rritë numri i zyrtarëve dhe është bë një shtojcë. Më 2013 është bë një shtojcë e dytë. Këtu është krimi. Kjo shtojca është bë në kundërshtim me rregullat e ndërtimit, ka qenë tarracë dhe është mbuluar, i kanë lënë kabllot qelë, në shtojca duhen sisteme të reja të rrymës, këta kanë bë vetëm zgjatime. Djegiet dyjat janë bërë në shtojca”, ka thënë ai në KTV.
Koci ka shtuar se instituti nuk është parë me rëndësi nga institucionet për shkak se edhe pas zjarrit të parë që kishte rënë aty, nuk ishin ndërmarrë masa.
“Kur ka ndodhë zjarri i parë është dashtë ta marrin seriozisht sepse institucioni ka rëndësi të madhe sepse ruhen prova. Nuk ka pasur ventile me ujë por edhe pompat që janë kanë qenë me afat të skaduar. Qe dy vjet ua ka skadu afati”, ka përfunduar Koci.