Përkundër që Qeveria po shprehet e bindur se Draft Kodi Civil do të kalojë në Kuvend, kështu nuk mendojnë edhe deputetët, të cilët votuan kundër.
Madje, mendim duket se nuk kanë ndryshuar as shumica e 14 deputetët e partisë në pushtet, të cilët kishin votuar kundër. Ata po vazhdojnë të kërkojnë që nga draft kodi – civil të largohet neni i cili rregullon çështjen e bashkëjetesës mes personave të gjinisë së njëjtë.
Para pushimeve të verës, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të diskutojnë për një temë të rëndësishme.
Draft Kodi – Civil do t’u shkojë përsëri për votim.
Mirëpo, përkundër që bindjes së Ministrisë së Drejtësisë se draft-kodi do të kalojë, Qeveria nuk ia ka dal që t’ua ndërrojë mendjen deputetëve të cilët herën e parë e kundërshtuan fuqishëm këtë pikë.
Deputeti i Listës Guxo, Burim Meta thotë se përsëri do të votoj njëjtë.
“Absolutisht ne këtu nuk jemi që të ndërrojmë mendimet sa qel e mëshel sytë. Unë kam dhënë katër sugjerimet e mija, katër amendamentime kam propozuar që të bëhen me plotësim-ndryshime dhe nëse një gjë e tillë nuk realizohet unë prapë do të jap mendimin tim përmes votës time dhe natyrisht do të votoj kundër”, ka thënë deputeti Burim Meta.
Sikur Meta, do të veprojë edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje.
“Nëse kanë bërë ndryshim, ne jemi në rregull, sepse ne nuk e kemi pasur asnjë problem me Kodin Civil. Është pesë libra dhe ne e dimë se është Ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës në shtet. Por, nëse nuk kanë bërë ndryshim në këto dy nene unë personalisht jam prapë kundër”, ka thënë deputetja Duda Balje.
Megjithatë, sipas deputetit të Vetëvendosjes, Visar Korenica, Qeveria u ka premtuar se do t’i bëjë disa ndryshime në draft-kod.
“Po kemi pasë dhe propozimi ka qenë që do të ketë ndryshim dhe prandaj them që nuk mund të jap ndonjë përgjigje të prerë sa i përket kësaj informate të cilën ju e keni, prandaj është mirë të presim të vij së pari draft-kodi civil në Kuvend, të kaloj nëpër komisionet përkatëse dhe më pastaj të japim ne mendimin tonë”, është shprehur deputeti Visar Korenica.
Nazlie Balaj, këshilltare në ministrinë e Drejtësisë ka deklaruar për Televizionin Dukagjini se draft-kodi do të kalojë.
Për të 14 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin votuar kundër.