“Kohës time po i vjen fundi” – Guardiola paralajmëron tërheqjen nga trajnimi

“Kohës time po i vjen fundi” – Guardiola paralajmëron tërheqjen nga trajnimi

Pep Guardiola ka dhënë një sinjal të fortë për të ardhmen e tij, duke lënë të kuptohet se epoka e tij si trajner është drejt fundit.

Në një intervistë për GQ Hype, tekniku i Manchester City ka zbuluar se pas kësaj “faze” me klubin anglez, do të tërhiqet nga stoli i trajnerit për të marrë një pushim të mirëfilltë.

“E di që pas kësaj faze me Cityn do të ndalem. Kjo është e sigurt, është vendosur – më shumë se e vendosur,” – deklaron Guardiola, pa përcaktuar një afat të saktë kohor për largimin. “Mund të jetë një vit, ose më shumë, por vendimi është marrë.”

Trajneri katalanas nënvizon se arsyeja nuk lidhet me lodhjen fizike apo rezultatet, por me nevojën për t’u përqendruar te vetja dhe mirëqenia mendore.

Ai e krahason këtë vendim me momentet kur u largua nga Barcelona, si lojtar dhe më vonë si trajner: “Mendoj se dija si të ndalesha në momentin e duhur. Do të kërkoj një sfidë tjetër kur të vijë koha, por jo tani.”

Guardiola thekson se kjo do të jetë një lamtumirë e vetëdijshme dhe jo një pasojë e rezultateve apo kritikave: “Nuk më detyron askush të largohem. Unë e di kur është koha të ndalem. Siç ndodhi me Barcelonën, edhe tani ndjej se po afrohet një cikël i ri.”

I pyetur për kritikat që e kanë shoqëruar gjatë karrierës, Guardiola ishte i drejtpërdrejtë: “A ka njerëz që mezi presin që unë të dështoj? Po, patjetër. Dhe jam i lumtur t’i mirëpres. Në nivelin ku punojmë, presioni është pjesë e lojës. Ai të mban gjallë.”

Nëse ky sezon do të jetë i fundit i Pep Guardiolës në “Etihad” apo në trajning në përgjithësi, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: një nga mendjet më brilante të futbollit modern po përgatit daljen nga skena.

Related Articles