Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka kaluar më fëmijët në Sos Fshatra dhe ata të Qendrës Burimore “Përparimi”.
Aty, Konjufca ka thënë se investimi për fëmijët është investim për një të ardhme më të mirë, për çka ka thënë se ka shumë punë përpara në këtë drejtim.
Kryetari i Kuvendit, u ka shpërndarë dhurata fëmijëve në Sos Fshatra, ku ka thënë se të rriturit duhet të jenë të vetëdijesuar për të drejtat e fëmijëve.
“Kjo ditë, e jo vetëm kjo, duhet të na shërbejë si reflektim për kujdes të shtuar ndaj të gjithë fëmijëve (sidomos atyre pa përkujdesje prindërore dhe me nevoja të veçanta), edukim, shkollim dhe mirëqenie, zhdukje të çdo forme të abuzimit e diskriminimit, ndalim të dhunës e shfrytëzimit, si dhe zbatim të të drejtave të garantuara, sigurim të një ambienti të qetë dhe hapësira loje dhe argëtimi”, ka shkruar Konjufca.