Po vazhdon seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Siç raporton gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, Kokalla, para trupit gjykues ka deklaruar se e ka ditur që në ditën kritike, Plava dhe Murseli do të takoheshin.
“Po më kujtohet! Nuk e kam pyetur pse po takoheni, nuk më ka interesuar”, ka deklaruar i akuzuari.
Po të njëjtën ditë, Kokalla pohon se është kontaktuar nga Murseli. “Naimi më ka shkruar ku je? I kam thënë në shtëpi dhe kaq. Rreth orës 15-15:30”, deklaroi Kokalla
Megjithatë, i njëjti pretendon se nuk ka qenë në dijeni se cilat ishin motivet e tyre, dhe çfarë kanë bërë së bashku.
I pyetur rreth aktit të rëndë, Kokalla tha se fillimisht kishte menduar se ka ndodhur diçka lidhur me sigurinë kombëtare.
“Pasi ka ndodhur sulmi në Banjskë, si pjesëtar i FSK kam qenë në gatishmëri dhe më ka shkuar mendja që paska krisur edhe ndonjë gjë tjetër. Kur i kam parë gazetat e kam parë si grabitje, u grabit Naimi.
Kam provuar me thirrur Naimin në telefon, por i ka dalë i ndalur telefoni. Pas 20-30 minutash po del vrasje”, tha Kokalla.
I akuzuari tregon edhe se si i erdhi puna që të mbërrinte në Prishtinë. “Kam ardhur me babanë, axhën, djemtë e axhës, të tjerë kemi shkuar në stacion policor ku ishte Naimi në orën rreth 00-00:30 të natës. Kur jemi shkuar jemi bërë bashkë me familjen Ademaj si dajë e Naimit dhe kemi qëndruar bashkë me familjen Ademaj derisa Naimi ka dalë prej stacionit të policisë”.
Kokalla tha se ka shkuar te Murseli në hotel, për të qëndruar me të pas aktit të rëndë.
“Kur ka dalë Naimi prej stacionit e kemi ngushëlluar ne edhe familja Ademaj edhe krejt. Valoni tha a po rri dikush me të se unë s’mundem, i thashë po rri unë me të, kemi shkuar në hotel. Pasi fëmijët e Liridonës shkuan me familjen Ademaj”, deklaroi ai para gjykatës.
