Tash e njëmbëdhjetë ditë prej kur u tensionua situata në veri e u vendosën barrikada nga serbët, kjo zonë pandërprerë ka prezencë të Policisë së Kosovës.
Ekipet e forcave të rendit janë me orar 12 orësh në terren, derisa në këtë pjesë vijnë prej stacioneve të tjera rajonale më larg Mitrovicës.
Por mundësinë për t’u ndërruar nuk e kanë edhe kolegët e tyre në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak.
Shqetësimin për policët e bllokuar në veri e ka shprehur, kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.
Zeqiri tha për Front Online se bllokimi i pjesëtarëve të policisë ka kaluar çdo normalitet.
“Në kushtet të cilat ata janë dhe që nuk janë ndërruar që 11 ditë është tejkaluar gjithçka prej normales për shkak se maksimumi që mundet me punuar policia është 12 orë, por nuk ka faj punëdhënësi për shkak se pengesat janë barrikadat. Ushqim kanë por janë të konzervume dhe nuk është e vërtet që janë duke ju harxhuar rezervat e ushqimit. Ajo që i rëndon më shumti është mos ndërrimi i policëve”, theksoi Zeqiri.
Sipas Zeqirit, menaxhmenti policor është duke e bërë të pamundurën për ndërrimin e pjesëtarëve të policisë të bllokuar në veri.
“E keqja që po ndodh në veri është që policët kanë mbetur pa ndërrim. Menaxhmenti policor është duke e bërë të pamundurën për me e gjete një variant për me e bërë ndërrimin atje”, tha Zeqiri.
Kreu i sindikatës së policisë, ka theksuar se Qeveria duhet t’i koordinoj punët me institucione ndërkombëtare për situatën në veri.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e Bërnjak dhe Jarinjë dhe janë duke e bërë punën me moral të lartë përkundër zgjatjes të tepruar të punës që janë duke e bërë që 11 ditë. Ne nuk jemi të interesuar me i tërhequr policët nga pikat që janë të vendosur por t’i bëjmë zëvendësimin e policët e tjerë. Qeveria duhet t’i koordinoj punët me institucione ndërkombëtare”, u shpreh Zeqiri.
Ndryshe, Emisari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vendosur.
Se barrikadat duhet të hiqen me marrëveshje politike, jo me buldozerë, e tha edhe ndërmjetësi evropian në dialog Miroslav Lajçak