Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.
Autoritetet komunale të Fushë Kosovës kanë njoftuar se situata po monitorohet nga afër dhe ekipet përkatëse janë në gatishmëri të plotë.
“Në disa zona të komunës janë evidentuar vështirësi si pasojë e reshjeve të shiut”, thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë Kosovës.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Izia Mjeku, ka dalë në terren për të monitoruar gjendjen aktuale.
Komuna ka bërë të ditur se “ekipet përkatëse janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në rast nevoje, me qëllim parandalimin dhe menaxhimin e çdo situate të mundshme”.
Duke iu referuar Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Komuna paralajmëron se reshjet e shiut me intensitet të ndryshëm pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, gjë që mund të shkaktojë “vërshime lokale, probleme në komunikacion dhe në sistemet e kanalizimit”.
Në fund, Komuna e Fushë Kosovës ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe të shmangin zonat e përmbytura.
