Ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të një rasti ku viktimë është një zyrtare e Qendrës për Punë Sociale.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në Qendrën Edukuese Korrektuese për të mitur në Lipjan, ku viktima ushtron detyrën e saj.
Bazuar në dëshminë e 33-vjeçares, një grua e cila kishte shkuar për vizitë te djali i saj në këtë qendër, e ka kërcënuar zyrtaren se do t’ia vrasë vëllain.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar 43-vjeçaren dhe e njëjta është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarës t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.